Kryetari i NISMA, Fatmir Limaj, i ftuar në BlicInterview, me Astrit Gashin, ka deklaruar se në lidhje me takimin që do të zhvillohet të hënën më 27 shkurt në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, kryeministri Kurti do ta nënshkruajë marrëveshjen, e cila sipas tij përmban në vete edhe kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pres produktin e krejt asaj që ka ndodhur dy vitet e fundit, pres që të nënshkruhet marrëveshja mes Kurtit dhe Vuciqit, pra plani franko-gjerman. Asgjë tjetër. Për mua me rëndësi janë parimet. Kur bëhet marrëveshja, ajo pastaj ka fazat e implementimit. Koka e kësaj pune është marrëveshja, e jo plani i implementimit. Nuk është implementimi zemra e marrëveshjes, por zemra është vetë marrëveshja, ato 10 parimet apo pikat, prej saj derivon kalendari i implementimit të të gjitha pikave, për të cilat mund të arrihet të hënën marrëveshje. Për aq sa kemi parë, një nga pikat në planin frank-gjerman është edhe Asociacioni. Dhe kur ju e nënshkruar marrëveshjen, praktikisht e keni nënshkruar krejt, pra edhe Asociacionin”, tha Limaj, shkruan GazetaBlic.
Ai më tutje shtoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes përcaktohet kalendari i implementimit, të cilin kalendar Limaj e cilësoi si aneks marrëveshje.
“Zemra e gjithë kësaj që ndodhë të hënën është ajo që do të nënshkruhet, pra marrëveshja. Dhe palët marrin obligim zbatimin e marrëveshjes, pra të gjitha atyre pikave që janë marrëveshje. Dhe si bëhet kalendari i zbatimit të atyre pikave vendoset pastaj. Ka mundësi që edhe të hënën të përfundon çdo gjë, pasi që ekziston edhe plani i implementimit”, tha Limaj.
Sa i përket kërkesës së Serbisë se para se të arrihet marrëveshja, Kosova duhet të fillojë me themelimin e Asociacionit dhe ngurrimin e Kurtit për të nisur procesin, para se të nënshkruhet marrëveshja, Limaj tha se tha se ky është triku në negociata, ku palët parashtrojnë kërkesa maksimaliste, dhe vjen në pikën që nuk e ke imagjinu.
“Kryeministri ynë as që e ka imagjinu që ka me ardh në një situatë të tillë, pra te nënshkrimi i marrëveshjes qe ka asociacionin brenda, që nuk e ka njohjen, që nuk ka asgjë brenda, që fiton, Serbia, që nuk fiton Kosova. Kryeministri krejt jetën e tij politike e ka ndërtuar në refuzim të cdo raporti Kosovë-Serbi, që ka rrëzuar kamiona, ka mobilizuar popullin kundër decentralizimit, kundër marrëveshjes së Vjenës, që ka thënë nuk bisedoi me Serbinë pa kërkuar falje, etj. Pra është një shok i vërtetë për këtë kryeministër se ku i ka ardhur gjendja ”, tha Limaj.
Limaj tutje deklaroi se është pro planit franko-gjerman, por me njohje brenda.
Ai theksoi se duhet të të negociohet se pse duhet me qenë njohja brenda dhe shtoi se nëse nuk e ka njohjen e Kosovës brenda, dhe ka Asociacion, për mendimin tij ky atëherë është një propozim i dëmshëm për Kosovën.
“A ka garanci për njohje nga 5 shtetet e BE-së, a është negociuar për këtë gjë. Ajo që nuk ka njohje dhe ka Asociacion është e dëmshme për Kosovën. Në këtë propozim nuk ka asgjë më tepër se në marrëveshjen e vitit 2013. Kosova pas 2013 ka fituar anëtarësimin në Komitetin Olimpik, FIFA dhe UEFA, është anëtarësuar në organizata të ndryshme rajonale dhe Serbia na ka njohur kufirin, edhe pse thotë vetëm atë administrativ dhe kjo është njohja de fakto joformale. Cka ka më tepër se kaq ndonjë gjë shtesë njohja de fakto nga Serbia”, tha Limaj.
Sipas Limajt, largimi dhe tërheqja nga marrëveshja do të ishte një veprim tejet i dëmshëm për Kosovën.
“Nëse juve ju braktisin ata me të cilët e ke ndërtuar shtetin, dëmi është i padiskutueshëm ose i pamatshëm. E rëndë me u pranu ka qenë edhe marrëveshja e Rambujesë, Vjena ka qenë marrëveshje e vizatuar dhe nuk mund të krahasohet me Rambujenë. Marrëveshja e Vjenës ka pasur parimet e saj dhe kujdesi i vetëm i delegacionit të Kosovës ka qenë qe të mos bëhet ndonjë veprim i cili e defunksionalizon shtetin, ngase nuk ka pasur dilemë se Kosova do të bëhet shtet. Rambujeja ka qenë tmerr i Zotit, edhe marrëveshja ka qenë e vështirë, edhe vetë vendimi me shku ka qenë i vështirë, edhe vendimi për me e pranuar ka qenë i vështirë, por koha dëshmoi se ka qenë vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Limaj.
Limaj më tutje shtoi se kryeministri Kurti, me sjelljet dhe veprimet e tij, e ka sjellur vendin sot në këtë situatë.
“Ka degradu procesin e dialogut. Pozicioni ynë në vitet 2018-2019 ka qenë shumë më i mirë, na e ka degradu këtë pozicion. Kryeministri i vendit duhet me marrë përgjegjësi për këtë gjendje që na ka sjellë. Ai ka marrë ndëshkim nga sjellja e tij politike. A duhet me u largu prej dialogut? Nuk guxon me u largu prej dialogut. A duhet me u ul me u ndërtu marrëveshja? Duhet me hi me u ndërtu. Mirëpo, ky duhet me marrë përgjegjësi për këtë gjendje që na ka sjellë”, tha Limaj në Blic Interview.


