Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj J.Zh (42-vjeç), i cili u arrestua nën dyshimin se gjatë një kontrolli nga ana e zyrtarëve policorë, në veturën e tij janë gjetur rreth 6 mijë e 300 fishekë.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjyqtari i procedurës paraprake, Ferki Xhaferi.
“Po, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, tha gjyqtari Xhaferi.
Gjyqtari Xhaferi njoftoi se në këtë rast janë përmbushur kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit, të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë paraqiti të mërkurën kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj J.Zh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Shtetasi serb u arrestua të martën, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, ku gjatë kontrollit nga ana e Policisë, në veturën e tij u gjetën mbi 6 mijë fishekë.
“Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh., viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se kjo është një fitore tjetër për sundimin e ligjit.


