Pas barazimit me Leccen, Roma u rikthye te suksesi në Serie A teksa verdhekuqtë mposhtën në një Olimpico të tejmbushur Veronën me rezultatin 1-0. Me mungesën e Paulo Dybala dhe dëmtimin e Tammy Abraham në pjesën e parë të lojës, petkun e heroit te Roma e mori transferimi i janarit Ola Solbakken.
Pas këtij trepikëshi, kryeqytetasit e gjejnë veten në vendin e tretë të renditjes, megjithatë ka vend edhe për pakënaqësi me trajnerin Jose Mourinho i cili pas sfidës kritikoi tifozët që në një moment të caktuar kontestuan paraqitjen e të riut Bove, por edhe pjesës tjetër të skuadrës. Tekniku portugez u shpreh se Bove e do Romën më shumë se një pjesë e mirë e tifozëve të pranishëm në Olimpico ndërsa shtoi se verdhekuqtë nuk po marrin meritat që meritojnë.
“Ishte një stadium plot, i tejmbushur. Por, ndonjëherë kjo të vendos edhe në vështirësi. Më vjen shumë keq që dëgjova vërshëllima në gabimin e parë, unë jam 60-vjeç dhe kam fituar në karrierë ndaj nuk është se kam nevojë për komplimenta, por kjo skuadër ka nevojë për mbështetje. Kanë nevojë për fjalë të bukura, Bove u kontestua por ai e do Romën më shumë se një pjesë e mirë e tifozëve që ishin në Olimpico. Gjithsesi, në fund të sezonit do të flas pak më shumë për këtë temë.
Fitorja ndaj Veronës i përket të gjithëve sepse qëndruam të bashkuar në fushë. Mungonte Dybala, humbëm Abraham dhe luajtëm mirë përballë një skuadre që të vendos në vështirësi. Më pëlqeu sakrifica e lojtarëve në fushë dhe pesë apo gjashtë prej tyre luajtën edhe në mesjavë. Por, sërish them që skuadra ime nuk merr asnjëherë meritat që i meriton”, u shpreh Mourinho.


