Bad News Eagles padyshim se është një emër i njohur për pothuajse të gjithë adhuruesit e sportit.
“Gamerat shqiptarë” në dy vitet e fundit kanë arritur sukses të madh në lojën e famshme, Counter Strike Global Offensive, shkruan GazetaBlic Sport.
“BNE” arritën që me sukses të kualifikohen në dy Majoret [gara më e madhe në CSGO] e fundit duke ngritur reputacionin e skuadrës dhe duke u bërë kështu një ekip i respektuar në ‘botën e gamerave të CSGO’.
Bad News Eagles fillimisht u kualifikuan në “PGL Antwerp Major“, aty ku për kualifikim direkt mposhtën skuadrën çeke “Sinners”.
Pas këtij suksesi “BNE” nuk u ndal ku në vitin e kaluar përpos që u kualifikuan në Majorin e Rios “IEM RIO MAJOR” patën një performancë fantastike.
“rigoN, Sener1, juanflatroo, sinnopsyy dhe gxx” lojtarët shqiptarë arritën që të shkaktonin befasinë më të madhe duke e eliminuar favoritin kryesor dhe skuadrën numër një në botë ‘FaZe’ me rezultat 2:1.
Për sukseset e gamerave shqiptarë dhe planet e tyre në vazhdim për GazetaBlic Sport ka folur trajneri i ri i “BNE”, Devilwalk.
Devilwalk së fundmi u emërua trajner i “Bad News Eagles” pasi Klesti Kola “stikle” u largua nga ekipi.
Trajneri suedez, Devilwalk ka nisur mirë rrugëtimin e tij te “BNE” duke udhëhequr ata në dy fitoret e fundit që u arritën pikërisht dje ndaj “Eternal Fire” dhe “ForZe”.
Ai u shpreh se pritshmëritë e tij për skuadrën janë të mëdha duke cilësuar se përshtypjet e tij të para për ekipin ishin të jashtëzakonshme.
“Përshtypjet e mia të para për djemtë ishin vërtetë të mira. Ata janë djem të mrekullueshëm që kanë shfaqur pasion të madh për këtë lojë”, tha fillimisht ai.
“Po përpiqem të përmirësoj skuadrën. Ne jemi të mirë në pjesën më të madhe të lojës, por ne duhet të jemi më të mirë në përmbyllje të raundeve”, shtoi Devilwalk.
“Pritshmëritë e mia për për ta janë të larta. Kemi të gjithë përbërësit e duhur për t’u bërë më të mirët. Do të synojmë që të jemi në top 10 skuadrat më të mira tani dhe për vitet e ardhshme gjithashtu”, vazhdoi ai.
Devilwalk u shpreh optimist se “BNE” mund ta fitojnë turneun në Maltë.
“Kemi gjithçka që na duhet për të fituar këtë garë. Vetëm duhet që të japim gjithçka nga vetja dhe të mos nënvlerësojmë kundërshtarët”, tha Devilwalk.
I pyetur se nëse BNE mund të ripërsërisë sukseset në Major të CSGO ai u shpreh optimist për këtë duke thënë se kjo skuadër mund ta mposht këdo.
“Mendoj se jemi të aftë ta mposhtim çdo ekip të madh apo të vogël, pavarësisht renditjes së tyre në ranglistë. Prandaj, po mendoj se kjo është e arritshme”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


