17 shkurti 2023 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 15 vjet prej kur është shpallur i pavarur.
Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai moment, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan, në Evropë dhe në botë u konfirmua edhe një shtet i ri, shkruan GazetaBlic Sport.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete.
Natyrisht, për të arritur tek kjo ditë, kishte sakrifica të mëdha nga gjenerata të ndryshme, në mesin e tyre edhe nga sportistët.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Arbnor Morina kujton sakrificën e gjeneratave për vite të tëra për të arritur deri tek kjo ditë e shenjtë, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’.
“Sublimimi i punës së shumë gjeneratave ka qenë shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ky ishte një shpërblim për të gjitha gjeneratat që për vitet të tëra kanë punuar në këtë drejtim. Sportistët kanë qenë ata që janë rreshtuar nga dita e parë në vijë me popullin dhe me sakrificën e tyre, kanë mundësuar që sot gjeneratat e reja të garojnë me bashkëmoshtarët e tyre lirshëm dhe me të drejta të barabarta, për këtë jemi krenarë të gjithë“, tha fillmisht Morina.
Më pas, ai tregon edhe se si e priti këtë ditë, duke rrëfyer emocionet e mëdha që kishte.
“Atë ditë, dola me shokë për pak shëtitje nëpër sheshin e Prishtinës, për ta shijuar gëzimin së bashku me njerëzit e tjerë, pastaj u ktheva në shtëpi për ta shikuar direkt momentin e shpalljes së pavarësisë përmes ekranit televiziv. Normalisht, më pas ishim përsëri në shesh, për të festuar dhe për t’u gëzuar nga ajo gjë e madhe dhe e shumëpritur që ndodhi”, përfundoi Morina për ‘GazetaBlic Sport’.
![]()


