Ahmet Haliti u rikthye në futbollin kosovar, ku në merkaton e dimrit u transferua tek skuadra e njohur, Trepça 89′.
Në ndeshjen e fundit ndaj Dritës që skuadra e tij e fitoi 1-0, Haliti zhvilloi një ndeshje perfekte, ku ishte kyç që skuadra e tij nuk pranoi gol, pasi ndihmoi me përvojën e tij në aspektin defansiv, shkruan GazetaBlic Sport.
Mbrojtësi kosovar ka potencuar se lojtarët e Trepçës 89′ kanë motiv të madh para ndeshjes me Llapin, pas startit të mirë në kampionat.
“Është e vërtetë që kemi filluar mjaft mirë kampionatin me një fitore ndaj një ekipi shumë të fortë dhe cilësor siç është Drita, dhe kjo na jep motiv për ndeshjen e radhes ndaj Llapit – por nuk ka vend për vetkënaqësi, sepse na pret një sfidë shumë e madhe në Podujevë, ku edhe një barazim do të ishte rezultat pozitiv për neve”, tha fillimisht Ahmet Haliti për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai u shpreh poashtu i lumtur që ishte në formë ndaj Dritës – teksa shtoi se atmosfera tek mitrovicasit është shumë e mirë.
“Po është e vërtetë që kam zhvillu një ndeshje solide ndaj Dritës dhe sigurisht që kjo më bën të lumtur, por e rëndësishme ishte që arkëtuam tre pikët. Atmosfera është shumë e mirë duke filluar nga kryesia e klubit të cilët mundohen të qëndrojnë afër për çdo gjë, dhe jemi shumë të motivuar për t’i arritur objektivat e klubit”, përfudoi Haliti.
Ndeshja Llapi – Trepça 89′ zhvillohet të shtunën nga ora 13:00.
/GazetaBlic Sport



