Skuadra e Rahovecit në basketboll dje ka mposhtur KB Pejën në çerekfinale të Final8.
Rahoveci fitoi me rezultatin 90-79 ndaj Pejës për të siguruar gjysmëfinalen e madhe të këtij kompeticioni, ku e pret KB Trepça, që e mposhti Vëllaznimin, shkruan GazetaBlic Sport.
Në ndeshjen e djeshme për Rahovecin shkëlqeu basketbollisti, Bardhi Rexha, i cili kishte 10 pikë, 12 kërcime dhe 2 topa të vjedhur.
Rexha u shpreh shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit, teksa thotë se skuadra e tij është shumë e motivuar për ndeshjet e ardhshme.
“Falënderoj bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që na përkrahën. Ne luftuam shumë, pak kush besoi, por ne arritëm falë publikut të fitojmë këtë ndeshje. Ishte fitore që e merituam pas një kohë pafat përkunder paraqitjeve të mira”, tha fillimisht Bardh Rexha për ‘GazetaBlic Sport’.
Sa i përket ndeshjes ndaj Trepçës, Rexha e pranon se mitrovicasit kanë ekip të fuqishëm, por Rahoveci hyn në këtë duel për fitore.
“Trepça s’do koment, është ekip i fuqishëm. Por, ne do të hyjme për fitore, është ndeshja më e madhe e sezonit dhe do të japim maksimumin falë edhe mbështetjes së publikut”, vazhdoi basketbollisti i Rahovecit.
Në fund ai shtoi se Rahoveci me publikun prapa është ekip krejt tjetër, teksa ftoi qytetarët që të shkojnë në numër të madh në palestër.
“Dua t’i bëjë thirrje gjithë qytetit të na bashkohen të Premten. Kjo është festë e basketbollit që po organizohet në qytetin tonë dhe me përkrahjën e publikut dhe ndihmën e Zotit shpresojë shumë që t’i bëjmë krenar të gjithë. Me publikun dhe tifozët jemi ekip krejt tjetër”, përfundoi Rexha.
Ndeshja mes Rahovecit dhe Trepçës luhet nesër nga ora 17:00.
/GazetaBlic Sport


