Lajme

Çfarë konteston në planin franko-gjerman? Kurti: Serbia duhet të ketë ballafaqim me të shkuarën

02/15/2023 22:43
nga:G B

Një ndër problematikat kryesore sa i takon planit franko-gjerman, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti është njohja e krimeve të luftës në Kosovë nga Serbia. Në një intervistë për emisionin Opinion të Blendi Fevziut, Kurti thotë se propozimi në fjalë është bazuar në koncepte demokratike universale shumë të mira. Por ai shprehet se sa kohë Serbia e konsideron masakrën e Reçakut fabrikim, kjo do të thotë se ajo nuk pendohet për krimet e kryera gjatë luftës. Për Kurtin për t’u bërë normalizimi i marrëdhënieve si në rastin e 2 Gjermanive, duhet të ketë një ballafaqim me të kaluarën, që kurrsesi s’po ndodh në Serbi.

Ndërkohë, problemi kryesor që mbetet mesa duket, është problemi i asociacionit. Ose po jua bëj pyetjen ndryshe: Çfarë kontestoni ju brenda këtij plani, që ju duket problematike dhe që ka nevojë të rishikohet?

Propozimi është i bazuar në koncepte demokratike universale shumë të mira. Të drejtat e njeriut, pavarësia, vetëvendosja, integriteti territorial, sovraniteti.

Mosprekja e kufijve, njohja de facto, pranimi i njëri-tjetrit, institucionet ndërkombëtare. Pra thënë në një farë mënyre janë dy shtetet që bëjnë një marrëveshje, vetëm njohja formale ngelet.

Dallimi kryesor që kemi ta zëmë me fillimin të viteve 70 kur ish-kancelari gjerman filloi atë që quhej ‘ostpolitika’ me lindjen, aty e kemi dallimin sepse shkoi në Varshavë dhe u përkul para viktimave të nazizmit gjerman. Në rastin e Serbisë ajo konsideron që masakra e Reçakut ka qenë një fabrikim i ambasadorit të mirënjohur Walker. Pra në një farë mënyre Serbia nuk pendohet për krimet e asaj të kryera gjatë luftës.

Mesa pashë unë krimet e luftës nuk përfshihen në tekst.

Për shkak të komenteve tona është shtuar pjesa e cila thotë “legacy of the past’. Domethënë do të trajtohet dhe ajo, por është një term xhenerik, ndaj ka nevojë për bisedime të mëtejshme për të sqaruar atë gjë. Vetëm ta keni parasysh që Serbia de juro e pranon Bosnjen, por de facto nuk e pranon.

Patjetër. Dhe ju nuk e detyroni dot Serbinë t’ju njohë.

Për t’u bërë normalizimi i llojit të Gjermanive, duhet të ketë një ballafaqim me të kaluarën, që kurrsesi s’po ndodh në Serbi.

Nëse unë ju pyes si një njeri i cili nuk ka asnjë informacion, pikat bazë të këtij plani që ju keni mbi tavolinë, pikat kryesore po themi jo detajet, janë që; dy vendet pranojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, pranojnë kufijtë aktualë të njëri-tjetrit, pranojnë praninë e njëri-tjetrit në institucionet ndërkombëtare dhe nuk e pengojnë këtë. Serbia heq dorë nga kthimi pas i njohjeve dhe nga bllokimi. Të dy vendet nuk bllokojnë njëri-tjetrin për integrimin në BE. Kosova i jep të drejtë minoritetit serb të ndërtojë atë që quhet asociacionet.

Nuk është ashtu në propozimin bazë.

Si është?

Propozimi bazë ka 5 fjali preambul dhe nene. Në fjalinë e tretë të preambulës thuhet pakicat kombëtare.

Pakicat kombëtare do të thotë dhe boshnjakët, serbët…

Nuk thuhet pakica kombëtare në Kosovë, thuhet pakicat kombëtare. Ka pakica kombëtare edhe në Serbi, madje shumë më shumë se në Kosovë. E para.

Kjo marrëveshje vlen edhe për shqiptarët e Serbisë? Preshevë, Medvegj, Bujanovc?

Po natyrisht. Se dy Gjermanitë e kanë marrëveshjen me reciprocitet përbrenda. Dhe ai paragraf i cili merret nga modeli i dy Gjermanive është…

Çështja e dy Gjermanive është një çështje tjetër. Ishte një komb me probleme ideologjike, jo me probleme nacionale…

Nëse shkojmë në atë pikë kur dikush thotë dy Gjermani midis Kosovës dhe Serbisë, unë filloj të ndihem francez. Pra ne dy kombe me një shtet jemi me Shqipërinë. Por është marrë literalisht paragrafi që i referohet pakicave kombëtare. Dhe pakica kombëtare nuk ka vetëm në njërin shtet, ndaj kjo ngelet të diskutohet, por për mua është e qartë se nuk mund të jetë e njëanshme.

Pra le të kuptohet në princip, por nuk është hyrë në detaje kësaj.

Nuk është hyrë në detaje. Gjithsej janë vetëm 2 faqe.