Janë bërë dy vite që kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi pushteti me mbi 50 për qind të votave të qytetarëve të Kosovës.
Që nga ajo kohë ajo po qeverisë me vendin.
Për punën gjatë kësaj periudhe 2 vjeçare të Qeverisë Kurti, për Gazeta Blic ka folur deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.
Ai vlerëson se 14 shkurti ka qenë pikëprerja në mes të shkuarës me keqqeverisje dhe të ardhmes me qeverisje të ndershme, ku për dy vite thotë se kanë punuar në zotimet që kanë bërë dhe të cilat do t’i përmbushin plotësisht deri në fund të mandatit.
“14 shkurti i vitit 2021 ishte pikëprerja në mes të një të shkuare me keqqeverisje, korrupsion e koncesione për Serbinë, si dhe të një të ardhme me qeverisje të ndershme, kundër korrupsionit e vendosmëri e qëndrueshmëri përballë Serbisë. Gjatë këtyre dy viteve kemi punuar në drejtim të zotimeve e programit. Jemi në mes të mandatit dhe besojmë fort se deri në fund do t’ i përmbushim zotimet e programin elektoral e qeverisës”, potencon ai.
Sa i përket sfidave të qeverisë, Rrustemi thekson se ka pasur kriza si pandemia, kriza energjetike e ekonomike të ndikuara nga lufta në Ukrainë, por që Qeveria sipas tij ka mbajtur fokusin në realizim të programit.
“Padyshim se gjatë këtyre dy viteve jemi përballë me sfida të cilat kanë pasur karakter e burim global. Nga pandemia e vaksinimi, kriza energjetike ekonomike e ndikuar nga lufta në Ukrainë. Megjithatë Qeveria ka arritur që krahas menaxhimit të tyre me përkushtim, të mbajë fokusin edhe në realizimin e programit”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.
Sipas tij, përparim ka në çdo fushë, nga sundimi i ligjit e deri te rritja e përkrahjes për ushtri e bujqësi.
“Përparim ka në secilën fushë. Ndoshta në ndonjërën vërehet më shumë, por kudo ka pasur politika që bazohen në program. Nga fuqizimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit e reforma në drejtësi, tek rritja ekonomike, mbështetja përmes pakove ekonomike, rritja e të hyrave e dyfishimi i buxhetit për ushtri e bujqësi”, deklaron Adnan Rrustemi./Gazeta Blic/


