Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka ripërsëritur kërkesën e SHBA-ve për Asociacionin, teksa ka thënë se ai duhet të formohet deri në verë të këtij viti.
Ai ka thënë se SHBA-të janë absolutisht të përkushtuara për zbatimin e plotë të asaj që është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit, duke përfshirë formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne me të vërtetë këmbëngulim që ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet, kështu që po flasim për marrëveshjen origjinale të Brukselit. Nuk po them se marrëveshja franko-gjermane nuk është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Ato sigurisht që janë të lidhura. Koncepti që Marrëveshja e mëparshme duhet të zbatohet, pjesë e marrëveshjes franko-gjermane”, tha Hill në një intervistë për televizionin K1.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se derisa janë 33 marrëveshja, njëra nuk mund të trajtohet me prioritet dhe se në dialog palët duhet të trajtohen të barabarta.
“Janë 33 marrëveshje dhe nuk mundet që njëra nga to të trajtohet me prioritet. Besueshmëria në dialog krijohet duke pasur qasje të barabartë dhe trajtim të barabartë të palëve”, shprehet ai.
Sipas Batushës, njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes finale dhe se duhet të kihet parasysh reciprociteti në kërkesa dhe zbatueshmëri.
“Në marrëveshjen gjithëpërfshirëse duhet të jetë njohja reciproke në qendër, si e vetmja pikë e cila i jep kuptim marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe finale. Po ashtu, duhet të kemi parasysh parimin e reciprocitetit në kërkesa dhe zbatueshmëri. Pa të nuk kanë kuptim as kërkesat e ankesat e palës serbe”, potencon deputeti për Gazeta Blic.
Ai thotë se presin kuptim të drejtë të qëndrimeve të Kosovës nga aleatët.
“Ne i kuptojmë qëndrimet e partnerëve dhe aleatëve tanë, por po ashtu presim kuptimin e drejtë të qëndrimeve tona”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/


