Sporti

Drejtuesit e Juventus humbin durimin, Pogba mund të shitet në verë

02/02/2023 20:47
nga:Mergim Rreci

Vazhdimësia e Paul Pogba në Juventus do të jetë për t’u diskutuar në tavolinë, me klubin italian që po mendon të shesë shërbimet e tij ose t’i japë fund kontratës.

29-vjeçari francez u rikthye në Juventus këtë sezon pas largimit gjashtë vite më parë për Manchester United. Mesfushori mbërriti me kosto zero dhe dukej se ishte një marrëveshje e shkëlqyer, por ai ende nuk ka luajtur asnjë minutë për Bianconerët, pasi mori një dëmtim të rëndë në gju gjatë para-sezonit, përcjell GazetaBlic Sport.

Pogba u rikuperua dhe u rikthye në stol në humbjen ndaj Monzas në fundjavë, ku nuk u përdor. Problemi është se lojtari është lënduar sërish, siç e ka konfirmuar edhe trajneri i tij, Massimiliano Allegri.

Kjo situatë i bëri të dëshpëruar përgjegjësit e klubit dhe tani do të tentojnë ta shesin atë, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2026.

/GazetaBlic Sport/