Boksieri i mirënjohur shqiptar, Altin Zogaj do të ngjitet në ringun e boksit përsëri ditën e shtunë.
Zogaj do të përballet me një kundërshtar nga Armenia, Hovhannisyan, i cili jeton në Gjermani dhe është kampion momentalisht në Federatën Botërore WBA dhe mban brezin WBA Continental Champion, poashtu është kampion në Federatën Botërore WBC dhe mban brezin WBC Asian Boxing Council Continental.
Zogaj duhet që më patjetër ta fitojë këtë meç, duke siguruar më pas mundësinë që të luftojë për titullin e Kampionit të Evropës, në muajin qershor.
Para këtij meçi, Zogaj është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, duke thënë se është shumë i gatshëm dhe se kërkon vetëm fitoren.
“Jam shumë i fokusuar dhe i gatshëm për këtë meç, madje i përgatitur maksimalisht që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi që kam pasur të boksojë me këtë kundërshtar me 17 dhjetor -2022. Megjithatë, ngjarja e asaj kohe u anulua dhe do të organizhohet ditën e shtunë. Motivi është në nivelin më të lartë, ashtu siç nuk ka qenë kurrë më parë. Kjo për faktin se po ngjitem për një hap më të madh drejt suksesit që mëtoj“, tha fillimisht Zogaj.
Më pas, ai foli edhe për mundësinë e madhe që në muajin qershor të boksojë për titullin e Kampionit të Evropës, ku tha se e kërkon atë, por se fillimisht është i fokusuar tek kjo luftë.
“Jam i bindur sikur kur isha në të kaluarën i tillë në qëllimin për t’u bërë kampion i Gjermanisë në Federatën BDB. Çdo sportist duhet të ketë një synim ku do të arrijë, përndryshe nuk do ta ketë vullnetin e duhur në stërvitje. Titulli i Kampionit të Evropës është gjithashtu në qëllimin dhe fokusin tim, por fillimisht duhet ta mposht kundërshtarin që kam në ditën e shtunë“, vazhdoi me prononcimin e tij Zogaj.

Krejt në fund, ai pati një mesazh të madh për gjithë shqiptarët, ku kërkoi mbështetje absolute, kjo sipas tij sepse është një energji shtesë për të.
“Kërkoj nga të gjithë shqiptarët që të më mbështesin mua si sportist, por edhe flamurin, këngën dhe çdo element tjetër të vendlindjes time që e prezantojë në kurbet. Të kem një mbështetje nga shqiptarët për mua është një energji shtesë“, përfundoi Zogaj për ‘GazetaBlic Sport’.



