Lajme

Gashi ‘shpërthen’ ndaj Qeverisë: E padrejtë për krejt, e kapi shtetin dhe s’bën të presim më shumë

02/01/2023 15:10
nga:Genita C

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar Qeverinë për vendimin e fundit që mori për koeficientin, teksa përmendi edhe disa nga veprimet tjera që sipas tij janë të padrejta, raporton GazetaBlic.

Gashi përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, me rritjen e çmimeve jeta e qytetarëve është shndërruar në ferr.

“Koeficienti në vlerë prej 105 eurove as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit i cili ka ndodhur këto dy vite. Jeta e qytetarëve të Kosovës është bërë ferr nga shtrenjtimi i produkteve, me theks të veçantë të atyre bazike – prej 50 – 80%”, shkruan Gashi.

Gashi përmendi edhe rastin e ambasadorit Berishaj dhe rritjen e çmimit në pronë, që sipas tij fajtori kryesor është vet Qeveria Kurti.

Shkrimi i plotë:

Qeveri e padrejtë me krejt. E padrejtë për krejt.

Me mosveprim e padrejtë, edhe me veprim e padrejtë; dy herë e padrejtë, ngase dy herë i dënuan qytetarët që punojnë në sektorin publik.

Nga mosveprimi fillimisht e vonuan Ligjin e Pagave, ndërsa qytetarët me papërballueshmëri të rritjes së çmimeve i ndëshkuan.

Nga veprimi me vlerën e koeficientit prej 105 eurove, papërballueshmërinë e qytetarëve po e vazhdojnë e po e thellojnë me ritëm të pandalshëm.

Koeficienti në vlerë prej 105 eurove as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit i cili ka ndodhur këto dy vite. Jeta e qytetarëve të Kosovës është bërë ferr nga shtrenjtimi i produkteve, me theks të veçantë të atyre bazike – prej 50 – 80%.

Në një Qeveri ku glorifikohet Oliver Ivanoviç, i cili ka qenë i dënuar për krime ndaj shqiptarëve.

Nga një Qeveri që e mbron krimin e korrupsionin e Martin Berishajt.

Nga një Qeveri që dyfishon tatimin në pronë dhe dëmton qytetarin në kohë krizash.

Nga një Qeveri e cila kap shtetin siç ishte rasti i fundit në RTK, nuk besoj që ishte dashtë të presim më shumë dhe aq më pak të zhgënjehemi.