Sporti

Suksesi i Napolit po festohet nga shqiptarët, Kusi: Jemi një familje, ftojmë Rrahmanin për të festuar me ne!

01/31/2023 17:53
nga:Mergim Rreci

Napoli është skuadra që po shkëlqen me sukseset e saj në këtë edicion.

Të pandalshëm në Serie A, futbollistët e drejtuar nga Luciano Spalletti pothuajse e kanë përfunduar që nga tash dilemën për titullin kampion në Serie A.

Napoletanët kanë 13 pikë më shumë se Interi i vendit të dytë dhe 15 pikë më shumë se Lazio, Atalanta dhe Milan që renditen në vendet 3, 4 dhe 5.

Duket se gëzimi për rikthimin tek titulli nuk është prezent vetëm tek tifozët e kësaj skuadre në Itali, por edhe tek shqiptarët që e adhurojnë këtë klub, në Kosovë edhe për faktin se kapiteni Amir Rrahmani luan aty, kurse në Shqipëri është krijuar madje edhe një tifo-grup zyrtar.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Geri Kusi, tifozi i cili ka themeluar në Shqipëri klubin e fansave të Napolit “Napoli club Albania”, dha detaje se si dhe kur lindi dashuria e tij për këtë klub.

Simpatia për Napolin lindi duke e ndjekur që në vitin 2010 dhe tani e tutje është kthyer në një pasion të madh që nuk ndahet nga zemra. Çdo vit duke e ndjekur dhe duke e mbështetur në çdo mënyrë së bashku me miqtë e mi, mendova se ishte e rrugës dhe i kushtova vëmendje krijimit të një Fan Club të njohur në Shqipëri dhe nga klubi zyrtar i Napolit. Ky projekt lindi së bashku me miqtë e mi, unë, Ruxhero, Kesi , Renaldi, Gjergji. Që nga viti 2019, jemi njohur zyrtarisht nga Napoli. Kjo gjë e mrekullueshme nisi nga një histori familjare, familja ime janë tifozë të çmendur të Diego Armando Maradonës, legjenda e Napolit më dha një ndjenjë të madhe për këtë klub, është e qartë që të jesh tifoz i Argjentinës duhet të jesh me Napolin. Motra ime mban emrin e vajzës së parë të Maradonës dhe quhet Dalma vetëm për hirë të legjendës, pasioni vazhdon brez pas brezi dhe anëtarët e Napoli Club Albania shtohen çdo ditë, sot jane 520 aplikime dhe 320 me kartat e anëtarësimit“, tha fillimisht Kusi.

Më pas, ai foli për sukseset e klubit gjatë këtij edicioni, duke thënë se tashmë kanë nisur të mendojnë për festën e madhe që pritet të organizohet në Tiranë.

Të flasësh për Napolin këtë sezon do të ishte si të flisje ditë e natë me shprehjet e Maradonas-s, i fundit i mojkanëve dhe i fundit stoik dhe besnik i skuadrës. Plot 34 vite, por kësaj here jemi afër si asnjëherë më parë, jemi vërtet një ekip i madh, por gabimet në shumë vite na kanë penalizuar, skuadra gabonte atëherë në momentet më kulminante. Napoli këtë herë është diçka tjetër me Osimhen, Kvaratskhelia, Rrahmani, Meret, Lobotka, Kim, në fakt në fillim të sezonit ata njiheshin si të ‘zakonshmit’ nga opinioni dhe se pritshmëritë ishin se do të jemi vetëm për zonën Champions, por jo, Napoli i këtij sezoni të parin ka grupin dhe jo individin, madje edhe largimet e emrave si Insigne, Mertens e Koulibaly u zëvendësuan shumë mirë. Kemi nisur të mendojmë për festën në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë bashkë me anëtarët dhe stafin, por gjithçka do ta lëmë surprizë“, vazhdoi Kusi.

Krejt në fund, themeluesi i ‘Napoli Club Albania’ tha fjalë të mëdha edhe për futbollistin kosovar, Amir Rrahmani dhe madje e ftoi që të festonte së bashku me grupin në Shqipëri.

Çdo sukses shqiptari të bën të lumtur, suksesi i Rrahmanit të shton pasionin për të dëshmuar se është i vetmi yll në formatin shqiptar ku luan me një ekip të madh. Amir Rrahmani është rikthyer si rregullator i mbrojtjes sonë të çelikut këtë herë, ku golat e pakët pësuar flasin vetë, janë vetëm 15 gola të pësuar, gjë që dëshmon se lojtari po kalon një formë fantastike dhe pse u dëmtua në tetor dhe u rikthye ndaj Interit në janar. Jemi të lumtur që kemi Rrahmanin, jemi të lumtur që është me ne, e presim në Shqipëri për të festuar me Napoli Club Albania“, përfundoi Kusi në prononcimin e tij.

/GazetaBlic Sport/