Analisti politik, Gazmir Raci, vlerëson se nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme në vend.
Kështu ka deklaruar ai në një prononcim për Gazeta Blic, teksa ka folur për situatën aktuale politike në vend dhe çështjen e Asociacionit.
Sipas tij, nuk ka nevojë as të tentohet të krijohet shumicë e re parlamentare.
“Nuk ka arsye për zgjedhje e as nuk ka nevojë të tentohet të krijohet shumicë e re parlamentare sepse nuk ka numra, e po ashtu është kundër vullnetit të shumicës së votuesve ndaj kësaj shumice parlamentare”, thotë ai.
Sipas Racit, kryeministri Kurti ka deklaruar se propozimi gjermano-francez është bazë e mirë për vazhdim të bisedimeve, teksa shton se i gjithë spektri politik duhet të angazhohet për një marrëveshje sa më të shpejtë finale me Serbinë.
“Kryeministri Kurti ka deklaruar dje se propozimi gjermano-francez është bazë e mirë për vazhdim të bisedimeve dhe se në kuadër të atij plani do të adresohen edhe të gjitha marrëveshjet tjera të zbatuara nga fazat e kaluara të dialogut. Për këtë ka pasur dakordim që nga dhjetori i vitit kaluar, kur palët janë pajtuar për targat. Pasi që jemi në zhvillime interesante gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë, i gjithë spektri politik duhet të angazhohet që sa më shpejt të arrihet deri te një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Ai shton se nuk e kupton pse disa individë në Kosovë e duan Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe se formimi i tij jashtë asaj që ka deklaruar Kushtetuesja krijon precedan të rrezikshëm.
“Nuk po kuptoj që disa individë në Kosovë e duan Asociacionin me kompetenca ekzekutive apo si e shohin ata. Çfarëdo që mund t’i shtohet Asociacionit përtej çka ka deklaruar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, atëherë ky sistem parlamentar do të prishej dhe do të krijohej një precedan i rrezikshëm”, potencon Raci.
Analisti thotë se të gjithë duhet përkrahur kryeministrin Kurti dhe nuk duhet lejuar një Republika Srpska të re në Ballkan.
“Askush nuk ka legjitimitet politik dhe elektoral që t’i japë atij Asociacioni kompetenca ekzekutive dhe për këtë të gjithë duhet ta mbështesim Kryeministrin Kurti. Me asnjë çmim nuk duhet lejuar një Republika Srpska të re në Ballkan”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


