Lajme

Rama fajëson Ministrinë e Financave: Kryeqyteti s’ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë

01/24/2023 17:13
nga:Genita C

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë, raporton GazetaBlic.

Rama përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë dhe siç thotë ai, norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Rama shton se Prishtina nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por sipas tij rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.

Shkrimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë.

Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces.

Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë.

Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.

I juaji,

Përparim Rama