Lajme

Serbët e Kosovës nesër në protestë kundër Vuçiqit

01/24/2023 07:07
nga:Astrit Gashi

Iniciativa Qytetare Serbe Survival i ka ftuar në protestë serbët nga e gjithë Kosova më 25 janar në ora 15:30 në shëtitoren në Mitrovicës së Veriut.

Sipas njoftimit, protesta është organizuar kundër politikes së dobët të negociatave të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe pranimi pa kushte i marrëveshjes së re.

Po ashtu do protestohet edhe kundër “sulmeve të shpeshta me motive etnike ndaj serbëve, uzurpimit të pronës private të qytetarëve nga qeveria në përmes shpronësimeve të parregullta” dhe pranisë së njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në konferencë për media ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

Vuçiq tha se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.

Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”. “Në fjalinë e dytë që më është komunikuar është thënë – duhet ta pranoni këtë plan”.

Më pas, shtoi presidenti serb, “tre herë të tjera është përmendur e njëjta gjë gjatë takimit”.

Ai shtoi se ka pranuar që t’i vazhdojë bisedimet në Bruksel, sepse “Serbia nuk duhet të mbetet e izoluar”.