Njohësi i çështjeve politike në vend, Shemsi Jashari, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, tha se vizitat e shtuara të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së në Kosovë tregojnë se ka një interesim të shtuar në lidhje me arritjen e marrveshjes perfundimtare Kosovë-Serbi.
Ai tutje theksoi se është brengosëse deklarimi i Lajçak pas takimit me Kurtin ku potencoi se ka pritur më shumë mirkuptim.
“Vizitat e shtuara të zyrtarëve të SHBA dhe BE, është një tregues se ka një interesim që, dialogu Kosovë- Serbi të marr një dinamike më të shtuar dhe se arritja e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet. E, tillë ishte edhe vizita e sotme e emisarëve nga SHBA dhe BE të cilët dërguan një mesazh të qartë se duan që të shtyjnë përpara marrëveshjen për normalizim marrëdhënieve Kosovë -Serbi”, tha ai.
“Ajo çka është pak brengosëse është deklarimi i z. Lajçak pas takimit se ka pritur nga z. Kurti, me shumë mirëkuptim për propozimin e BE për marrëveshjen, e kjo tregon se pala kosovare nuk është në sinkron me partnerët ndërkombëtar dhe se një presion shtesë mund të bie mbi Kosovën, ose që propozimi i BE nuk është i favorshëm për Kosovën dhe në të dyja rastet nuk është lajm i mirë”, deklaroi Jashari për “Gazeta Blic.

Ky po cilësohet vendimtar për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi edhe nga analisti Gazmir Raci.
Raci tha se prezenca e ndërkombëtarëve sot në Prishtinë ka të beje me diskutimet per planin franko-gjerman.
“Është fillimi i diskutimeve për planin franko-gjerman dhe natyrisht unë sot nuk kam pritur që Kosova t’i thotë po dokumentit të përditësuar nga ndërmjetësit. Diskutimet do të vazhdojnë pasi që ka një afat kohor që pritet deri në fund të pranverës të kemi edhe marrëveshjen finale, andaj si fillim duket që ka pasur biseda konstruktive”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme.
“Ndërmjetësit e kanë rolin e krijimit të mirëbesimit në mes të palëve, ofrimin e mundësive për diskutime të hapura dhe natyrisht pasi që kemi një plan konkret, atëherë palët duhet ta thonë mendimin e tyre për atë dokument dhe për këtë të ketë edhe takime të nivelit të lartë ne mes te dy shteteve. Është viti vendimtar për finalizimin e marrëveshjes për shkak edhe të zhvillimeve të tjera gjeopolitike dhe tendencave të Federates Ruse për ta destabilizuar edhe Ballkanin Perëndimor. Kosova duhet të jetë vigjilente në këtë drejtim dhe të marr pjese aktivisht në këtë fazë finale dhe natyrisht duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj kushtetues”, tha Raci për “Gazeta Blic”

Mbi dy orë ka zgjatur takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe emisarëve ndërkombëtarë që erdhën sot në Prishtinë.
I vetmi që ka folur pas këtij takimi ka qenë ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak deklaroi se takimi nuk ishte i lehtë dhe se kishin pritur mirkuptim më të madh raporton Gazeta Blic.


