Federata Skitare e Kosovës (FSK) ka sjellur një lajm fantastik, pasi mbrëmë ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me skitaren e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag – e cila tani e tutje do ta përfaqësojë shtetin tonë.
Sophie Sorschag është me prejardhje austriake, por ka vendosur të përfaqësojë shtetin e Kosovës në kërcimet me ski. 24 vjeçarja është kampione bote me Austrinë në ekipore për vitin 2021, ndërsa vitin e kaluar mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, shkruan GazetaBlic Sport.
Kryetari i FSK, Milaim Kelmendi ka theksuar se afrimi i Sophie tek Kosova është një lajm shumë me rëndësi për sportin dhe vendin tonë.
“Është një lajm shumë i rëndësishëm pas pranimit tonë në FIS, është një lami e re për skitarinë e Kosovës, mirëpo krejtë çka mund të themi për momentin është së Sophie Sorschag do të stërvitet në Slloveni dhe Austri me trajnerin e saj slloven, ndërsa do të garon për shtetin e Kosovës”, ka thënë fillimisht Milaim Kelmendi për ‘GazetaBlic Sport’.
Natyrisht se për të siguruar skitaren 24 vjeçare nuk ishte aspak e lehtë – pasi kishte oferta edhe nga shtetet tjera, por pas shumë takimeve me kryetarin e FSK, Milaim Kelmendi ajo vendosi për përfaqësimin e shtetit të Kosovës.
“Po ka pas shumë shtete të interesuara për marrëveshje me Sophie, si nga Emiratet e Bashkuara, edhe nga Ballkani, mirëpo në fund ajo vendosi pas shumë takimeve dhe bisedave që do të vazhdojë për shtetin tonë”, përfundoi Kelmendi.
/GazetaBlic Sport


