Aurelien Tchouameni, mesfushori i Real Madridit i cili po rikuperohet nga lëndimi, shfrytëzoi mungesën e tij në ndeshjen e ekipit kundër Villarrealit, të enjten, për të shkuar në Paris, ku e shikoi ndeshjen e NBA midis Detroit Pistons dhe Chicago Bulls, në të njëjtën kohë kur luante skuadra spanjolle.
Qëndrimi i francezit nuk u pëlqye nga tifozët e Real Madridit, të cilët nuk e pranuan faktin që lojtari e ndoqi ndeshjen e NBA-së ndërsa shokët e tij ishin në fushë, përcjell GazetaBlic Sport.
Pas kaq shumë kritikash, Tchouameni u detyrua të tërhiqej, duke kërkuar falje në rrjetet sociale.
“I kërkoj falje klubit tim, stafit stërvitor, kolegëve të mi dhe tifozëve për praninë time në një event në të njëjtën kohë kur po luanim në Kupë. Isha gjithmonë i vëmendshëm ndaj asaj që po ndodhte në Villarreal, por nuk bëra gjënë e duhur. Më vjen shumë keq”, ka shkruar ai në Twitter.
Në ndeshjen e zhvilluar, Real Madrid mundi Villarrealin me rezultat 3-2, me një rikthim spektakolar.
/GazetaBlic Sport


