Lajme

Kurti për takimin me Vuçiqin: Kjo varet nga Lajçak

01/17/2023 13:28
nga:Genita C

Kurti gjatë intervistës për gazetën zvicerane, Tages-Anzeiger, ka folur edhe për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, vendimin për targat ilegale dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është i interesuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Kjo varet nga i dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak. Ne jemi të interesuar për të arritur një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bazuar në njohjen reciproke. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog konstruktiv”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, i pyetur nëse qëndrimi i tij për targat ilegale të Serbisë në Kosovë ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës në Kosovë, Kurti i ka bërë një krahasim Zvicrës me shtetet tjera të Evropës.

“A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël instrumentalizohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat e njeriut, por për territor. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj”, ka thënë Kurti duke përmendur se i ka shkatërruar gjashtë laboratorë droge në komunat veriore dhe laboratorë për prodhimin e kriptovalutave që kanë përfituar nga rryma falas.

Kurti: Beogradi është nervoz sepse po ecim mjaft mirë, njohjen nga ta nuk e kam prioritet