Trusti do të jetë të enjten në rend dite në Kuvendin e Kosovës, por Lista “Guxo” nuk ka ende ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje.
Kështu të paktën tha për GazetaBlic deputeti i Listës “Guxo”, Burim Meta.
Meta tha çështje e Trustit ende nuk është diskutuar brenda partisë së tij dhe deri më tani nuk dihet se do të votojnë PËR apo KUNDËR tërheqjes së parave nga Trusti Pensional.
“Ende nuk e kemi diskutuar në partinë tonë, të kqyrim çfarë vendimi të përbashkët po marrim dhe nuk mundem të jap më shumë informata sepse nuk e kemi fol me partinë ende këtë situatë”, tha Meta.
Ndryshe, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte, në seancën e Kuvendit do të jetë në rend dite miratimi i Projektligjit për Trustin.
Tahiri potencoi se tërheqja e mjeteve nga Trusti, nuk ka qenë kërkesë e PDK-së sipas tij, por kërkesë e qytetarëve.
“Tërheqja e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, nuk ka qenë kërkesë e PDK-së si zgjidhje politike, por kërkesë e qytetarëve, të cilët, përballë një gjendje të renduar sociale e inflacioni rrënues dhe një qeverie të paaftë për të ofruar alternativë, kanë dashur dhe duan të kenë qasje në së paku një pjesë të parave të veta”.
“Te enjten, në seancën e Kuvendit do të jetë në rend dite miratimi i kësaj kërkese. Ftoj deputetët që të reflektojnë përballë kësaj kërkese të qytetarëve dhe ta miratojnë të njëjtën”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.