Lajme

Haradinaj: Masakra e Reçakut shokoi gjithë botën demokratike, nuk duhet harruar dhe mohuar

01/15/2023 11:04
nga:Genita C

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masakra e Reçakut mbetet dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur mirënjohës ndaj ish-shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, për të cilin tha se e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

“Përulemi e nderojmë të rënët për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimat e masakrës së Reçakut, civilët e masakruar në zemër të Evropës, masakër kjo që shokoi dhe vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë”, ka shkruar më tej Haradinaj.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në përvjetorin e 24-të të kësaj masakre, familjarë, qytetarë e krerët institucionalë, bashkë me William Walkerin, kanë përkujtuar viktimat.