Shqipëria tashmë ka zyrtarizuar trajnerin e ri i cili ka pasuar, Edy Rejën.
Sylvinho është emri i radhës që do të drejtojë “Kuqezinjtë” në rrugëtimin e tyre drejt qëllimit për kualifikim për “Euro 2024”, shkruan GazetaBlic Sport.
Shpresat janë të mëdha duke pasur parasysh emrin e madh që përfaqëson trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare i cili ka për ndihmës një emër si Zabaleta i cili ka fituar shumë trofe si lojtar.
Në lidhje me këtë gazetar i njohur pranë Kombëtares së Shqipërisë, Egi Duro ka folur për GazetaBlic Sport duke deklaruar se caktimi i Sylvinhos të Shqipëria është pozitive, megjithatë ai thotë se kjo lëvizje duhej të ishte bërë më herët.
“Caktimin e Sylvinhos te Shqipëria e shoh si diçka pozitive. Mendoj se pas 3 viteve me Rejën ishte momenti për të ndryshuar diçka në drejtimin e skuadrës, edhe pse mendoj se kjo lëvizje duhej te ishte bere te paktën në muajin tetor, për t’i dhënë edhe më shumë kohë trajnerit të ri dhe stafit të tij për të njohur sa më shumë skuadrën, ambientin dhe gjithçka tjetër që rrethon kombetaren kuqezi. Sylvinho është një trajner energjik dhe besoj se do e motivojë mjaftueshëm skuadrën gjë e cila na ka munguar së fundmi”, tha fillimisht Duro për GazetaBlic Sport.
Duro vazhdoi duke potencuar se forma e lojtarëve të Shqipërisë është e vështirë duke u përballur shumë me lëndime dhe pak minuta te klubet përkatëse gjë e cila mund të vështirësoi punën e trajnerit të ri për kualifikim në “Euro 2024”.
“Dëshira është e madhe, por duhet parë hap pas hapi. Për momentin gjendja e skuadrës nuk është shumë e mire. Kemi shumë lojtarë që nuk aktivizohen në klubet e tyre dhe kur vijnë në kombëtare, ndjehet shumë mungesa e minutave në klubet e tyre. Gjithashtu dhe dëmtimet e disa lojtareve kryesore si Broja, Bare janë faktorë negativ që do të na pengojnë jo pak për të shkuar drejt Euro 2024”, vazhdoi ai.
Ai vazhdoi duke thënë se emrat e mëdhenj që kanë arritur te “Kuqezinjtë” mund të forcojnë mentalitetin e lojtarëve.
“Po fakti që i gjithë stafi ka luajtur dhe ka drejtuar në nivele shumë të larta te futbollit europian është diçka që do e ndihmojë skuadrën tonë dhe do te permiresojë lojtarët tanë. Si Zabaleta dhe Sylvinho vijnë nga shtete ku futbolli është diçka e shenjtë, e mbi të gjitha skuadra kombëtare, kështu që besoj se të gjithë këtë ekperiencë dhe mentalitet fituesi do të dijnë ta percjellin në skuadrën tonë kombëtare”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.


