Ndihmësit e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, kanë gjetur edhe një grumbull të ri të dokumentave të klasifikuara të qeverisë në një lokacion tjetër.
Kjo është hera e dytë që Biden-it iu gjetën dokumente të klasifikuara, pasi një pjesë u zbulua para disa ditëve në zyrën e mëparshme të tij.
Rasti i parë i dokumenteve është në shqyrtim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Nuk është ende e qartë se kur dhe ku janë gjetur edhe dosjet shtesë nga ndihmësit e Biden.
Gati rreth 10 prej dosjeve të para u zbuluan në një dollap të mbyllur në Qendrën “Penn Biden” në Washington në nëntor, nga ekipi ligjor i Bidenit, ka thënë avokati i tij, raporton BBC.
Këto dokumente thuhet se përfshijnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në konferencën e përditshme për shtyp të së mërkurës, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nuk pranoi t’iu përgjigjej pyetjeve në lidhje me dokumentet e para.
“Kjo është në shqyrtim nga Departamenti i Drejtësisë”, tha ajo. “Unë nuk do të shtoj gjë më shumë nga ajo që tha presidenti dje”.
Biden tha të martën se ishte “i befasuar” nga zbulimi i dosjeve dhe se po “bashkëpunonte” me Departamentin e Drejtësisë.


