Sporti

Besar Musolli për rikthimin e Gjilanit: Është shpëtuar një klub me traditë, tani ne futbollistët jemi gati për të realizuar objektivin

01/11/2023 20:19
nga:Lorik J

Pas problemeve që kishin me përfundimin e sezonit vjeshtor, SC Gjilani tani është rikthyer fuqishëm dhe futbollistët kanë marrë pagesat nga kryetari i tyre, Florim Zuka – i cili poashtu është rikthyer tek “Skifterat” pas largimit të tij para disa muajsh.

Lojtarët sot kanë filluar stërvitjet dhe normalisht se ndihen mirë për normalizimin e situatës tek klubi i madh kosovar, shkruan GazetaBlic Sport.

Një prej lojtarëve më të mirë të ekipit, Besar Musolli ka theksuar se lojtarët tashmë kanë lënë pas problemet dhe janë mëse të gatshëm për të përmbushur objektivat që kanë këtë edicion.

“Normalisht që ishte një periudhë e vështirë, dhe sidomos për futbollistët, mirëpo fatmirësisht gjërat janë rregulluar dhe tani jemi të gatshëm për t’u përballur me sfidat që na presin. Do të mundohemi të japim maksimumin nga vetja jonë për t’i arritur objektivat”, tha fillimisht Besar Musolli për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas Musollit objektivi kryesor i “Skifterave” është dalja në Evropë.

“Objektivat janë të qarta, dalja në Evropë është rruga jonë e vetme. Kemi bërë një gjysmë sezonë të mirë, pavarësisht problemeve me të cilat jemi përballur. Tani gjërat janë rregulluar dhe presim të shkojnë në rrugën e duhur për të arritur objektivin e këtij sezoni”, vazhdoi ai.

Musolli shprehet shumë i lumtur për normalizimin e situatës tek Gjilanit dhe shpreson që në të ardhmen të mos përballen me situata të tilla.

“Është një ndjesi e veçantë, pasi që është shpëtuar një klub me shumë traditë dhe shumë tifozë. Klubi ka qenë mirë i organizuar viteve të fundit dhe ka merituar më tepër. Falë gatishmërisë së presidentit gjërat tashmë janë në rrugë të mirë dhe shresojmë të mos kemi më probleme financiare”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport