Sebastian Haller, sulmuesi i Borussia Dortmund është jashtë fushave të lojës prej periudhës së verës për shkak se u diagnostifikua me tumor në testikuj teksa iu desh t’i nënshtrohej edhe ndërhyrjes kirurgjikale.
Megjithatë, së fundmi lojtari i datëlindjes 1994 është rikthyer në grupin e Dortmund ndërsa është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës me objektivin për të gjetur sërish minutat në fushën e lojës. Së fundmi, Haller shprehet se mezi pret të zbresë në fushë para tifozerisë së Dortmund ndërsa shtoi se muajt e fundit ishin shumë të vështirë për të.
“Tani kuptoj se ajo që kam kaluar në muajt e fundit më ka bërë të kuptoj shumë gjëra. Kam kaluar momente vërtet të vështira, sidomos kur takoja edhe njerëz të tjerë në spital të cilët në atë moment ishin më mirë se unë. Kjo më jepte shpresë për të ardhmen dhe flisja me njerëz që kishin të njëjtën sëmundje si unë.
Secili kishte problemin e tij, por shkëmbenim shumë këshilla të vlefshme. Që nga momenti i parë objekti im ishte të rikthehesha në fushë dhe të luaja sërish para “Murit të Verdhë”. Tifozët janë motivi për të cilin çdo lojtar zbret në fushë dhe kur kjo të ndodhë, dua të jem gati”, u shpreh Haller./ss


