Lajme

Vuçiq: Askush s’i kërkoi Kurtit garanci për mos-arrestimin e serbëve

01/08/2023 12:18
nga:Astrit Gashi

“Askush nuk i kërkoi Albin Kurtit garanci se nuk do të arrestojë serbët, sepse askush nuk i beson, por ne kërkuam garanci nga Perëndimi”, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se askush nuk i ka kërkuar garanci, Vuçiq tha sot se Serbia ka kërkuar garanci nga Perëndimi, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Të shohim nëse NATO dhe BE do t’i respektojnë ato garanci. Kurti nuk është pyetur sepse askush nuk i beson. Fjala e tij është e pavlerë dhe nuk do të thotë asgjë për askënd në Evropë, jo vetëm për mua. Fjala e tij nuk do të thotë asgjë për askënd në Prishtinë”, nënvizoi Vuçiq për ‘TV Pink’.

“Me amerikanët është e mundur të bisedohet dhe ata mundohen të kuptojnë pozicionin tonë dhe qëndrimin e serbëve në Kosovë”.

Vuçiq, i pyetur për rolin e SHBA-së për çështjen e Kosovës, tha se Amerika është shumë e sinqertë në dëshirën e pavarësisë së plotë të Kosovës.

“ShBA është fuqia më e madhe që bashkë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe gjithë të tjerat lindën pavarësinë e Kosovës nga viti 1999 deri në vitin 2008, kur mendonin se gjithçka kishte mbaruar, askush nuk e kishte menduar se Serbia do të luftonte 14 vjet më vonë. Por me amerikanët mund të bisedohet, ata po përpiqen të kuptojnë pozicionin tonë dhe qëndrimin e serbëve në Kosovë”, shtoi ai.