Altin Gjokaj, një nga emrat e rinj që ‘shpërtheu’ në futbollin kosovar gjatë këtij viti.
Portieri i ri nga Skenderaj, bëri debutimin e tij në Superligën e tij me fanellën e Drenicës, duke qenë vetëm 16 vjeçar, shkruan GazetaBlic Sport.
Gjokaj kishte paraqitje fantastike në portën e Drenicës në ndeshjet sa pati hapësirë, duke treguar se është pa dyshim një portier nga i cili pritet shumë.
Pasimet e tij të sakta me këmbë, pastaj pritjet dhe në fund siguria që ofron në portë, janë disa elemente për tu vlerësuar shumë për një portier të moshës së tij.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Gjokaj tha se ky është viti më i suksesshëm deri më tash në karrierën e tij si futbollist.
“Viti 2022 është njëri ndër vitet më të sukseshme në karrierën time si futbollist, gjatë ketij viti u paraqita me Kosovën U17 dhe U19 në 12 ndeshje në të dyja gjeneratat. Aventura më e suksesshme ishte turniri ‘Roma Caput Mundi’ ku u shpallem fitues te turneut dhe gjatë 2 ndeshjeve prita 4 penallti. Nga periudha e janarit deri në maj, isha pjesë e FC Besa nga Peja, atje ku zhvillova 9 ndeshje me ekipen e parë dhe ato më ndihmuan që të zhvillohem dhe të fitojë përvojën si futbollist“, tha fillimisht Gjokaj.

Më pas, Gjokaj foli për kalimin tek skuadra e Drenicës në afatin kalimtar veror, duke bërë më pas edhe debutimin e madh.
“Kalimi në Superligë të Drenica nga Besa u bë pas insitimit të kryesisë së klubit të cilët kanë besuar në mua shumë, personi kryesor që u kujdes për transferimin tim ishte drejtori sportiv dhe pas bindjeve nga ai, unë u bëra pjesë e Drenicës, ku më ka përkrahur dhe ndihmuar që karriera ime të këtë rritje në të ardhmen e afërt. Gjatë periudhës gusht – nëntor pata përkrahjen e të gjithë klubit, drejtuesit, trajnerëve, bashkëlojtarëve dhe tifozëve ‘Shqiponjave të Zeza’. Debutimi në Superligë erdhi në nëntor në ndeshjen kundër Malishevës ku mbajta portën e pastër, pas debutimit luajta edhe 3 ndeshje, ku në gjithsej 4 ndeshje mbajta portën e pastër në 2 herë dhe prita një penallti ndaj Dukagjinit. Periudha që mendoj se ka qenë më e mira për mua ndonjëherë. Falënderoj përzemërsisht njerëzit që kanë punuar me mua gjatë këtij viti kalendarik dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës që kam nevojë për mbështetjen tuaj”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/


