Sporti

Mervan Bejtullahu tregon momentin interesant që i ndodhi para derbit mes Dritës dhe Gjilanit

01/02/2023 11:20
nga:Mergim Rreci

Mervan Bejtullahu është njëri nga gjyqtarët më të njohur të futbollit në Kosovë.

Ai ka drejtuar shumë ndeshje deri më tash të futbollit kosovar, gjitashtu ka fituar edhe stemën e UEFA-s, shkruan GazetaBlic Sport.

Si një gjyqtar aktiv në futbollin kosovar, natyrisht është shoqëruar edhe me disa momente interesante që i kanë ndodhur, kurse njërën nga ato e ka ndarë edhe me lexuesit tanë.

Bejtullahu ka rrëfyer momentin interesant që i ka ndodhur tek derbi i madh mes Dritës dhe Gjilanit, atje ku deri në momentet e fundit nuk e dinte se a do të fillonte ndeshja apo jo.

“Kam qenë i deleguar për derbin mes Gjilanit dhe Dritës, ndeshje kjo që vlente për Javën e 7-të. Atë ditë në mëngjes tifozët dogjën fushën (barin sintetik) dhe kur u zgjova në mëngjes më telefonuan kolegët për të marrë informacion nëse loja do të luhet, sepse mediat shkruanin se loja do të shtyhet për një ditë tjetër. Për këtë unë bashkë me kolegët e mi qe ishim të deleguar u ndjemë të zhgënjyer nëse do të shtyhet ndeshja, aq më tepër unë që jam nga Gjilani, një derbi si ky mos të zhvillohet është diçka interesante dhe befasuese. Më pas kur u informova se ndeshja do të zhvillohet pasi e kishin rregulluar barin e djegur, normalisht u emocionova shumë dhe fillova përsëri të mendoja se si ta mbyllja ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe gjithcka shkoi mirë në fund”, tha Bejtullahu për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/