Tahir Batatina, trajneri i njohur kosovar ka veçuar fitoren në udhëtim ndaj Ballkanit si momentin më të mirë të vitit 2022.
Klubi i Ballkanit kishte suksese të mëdha në këtë vit ku fitoi titullin dhe u kualifikua në Conference League, teksa Batatina i mposhti suharekasit më pas në Superligën e Kosovës me rezultatin 1-4, shkruan GazetaBlic Sport.
Në lidhje me këtë fitore, Batatina tregoi prapaskenat dhe si i motivoi lojtarët e tij – pasi sipas teknikut kosovar ata ishin të zhgënjyer para duelit dhe nuk shpresonin shumë në fitore ndaj një ekipi si Ballkani.
“Po tema më interesante dhe rrëfimi ka qenë në ndeshjen me Ballkanin këtë sezon – ku ne kishim lojën si mysafir dhe skuadra e Ballkanit kur ne shkuam nuk na llogariti fare dhe lojtarët dhe stafi ishin të gjithë të hutuar në zhveshtore”, tha fillimisht Batatina për “GazetaBlic Sport”.
Ai zbulon se si e ngriti motivimin tek lojtarët dhe si fituan në fund atë takim, pavarësisht se kundërshtari nuk e llogariti fare.
“Fillova me mbledhje dhe i pashë të gjithë të zbehur dhe me tonë të lartë të zërit ju thash kom besim do ta fitojmë këtë ndeshje të gjithë u befasuan me fjalët e mia dhe u zemëruan me fjalimin, por kemi bërë një ndeshje të mrekullueshme dhe fituam 1:4”, përfundoi Batatina.
/GazetaBlic Sport


