Lindon Emërllahu ka qenë zbulimi i vitit 2022, teksa shkëlqeu me Ballkanin si në Superligën e Kosovës, ashtu edhe në ndeshjet evropiane që luajti me klubin nga Suhareka, ku fitoi vendin e titullarit dhe mahnitit të gjithë me qetësinë e tij, pavarësisht se është vetëm 19 vjeçar.
Për Emërllahun viti 2022 ishte më i miri në jetë dhe thotë se nuk do ta harrojë kurrë për shkak të sukseseve të mëdha që kishte, shkruan GazetaBlic Sport.
“Ky vit për mua ka qenë shumë i mirë duke marrë parasysh që jam me një klub si FC Ballkani – duke marrë parasysh konkurrencën e madhe dhe që lufton çdo vit për trofe, mendoj qe ky vit i imi ka qenë me i miri në jetë deri tani”, tha fillimisht Lindon Emërllahu për “GazetaBlic Sport”.
Ai thotë se golin në Ishujt Faore nga penalltia nuk do ta harrojë kurrë në jetë.
“Momenti më i mirë i imi deri tani ka qenë penalltia kundër Klasvik në Ishujt Faroe – pasi që isha tek penalltia e fundit dhe aty u mbyllke çdo gjë, për fat të mirë – unë shënova dhe kaluam tutje, por edhe ndeshja e fundit kundër Shkupit ka qenë një ndjenjë e veçantë duke marrë parasysh sa shikues ka pasur atë natë”, vazhdoi ai.
Pas paraqitjeve fantastike, Emërllahu u ftua edhe nga Giresse në kombëtaren e Kosovës, ku thotë se ishte si një ëndërr për të teksa luante me lojtarët e Kosovës.
“Në atë kohë tek kombëtarja ishte si një ëndërr – kur e pashë vetën në stërvitje me plot yje në ekip siç ka ekipi kombëtar, ajo kohë për mua ka qenë e bukur dhe ndjenjë e papërshkuar”, zbulon 19 vjeçari.
Në fund, ai zbuloi një prapaskenë tek ekzekutimi i penalltive në ndeshjen Klasvik – Ballkani, ku ai ishte i fundit që goditi penalltinë dhe siguroi kualifikimin tutje që ishte shumë domethënës në suksesin e klubit kosovar.
“Prapaskena më e bukur që ka qenë në kualifikimet me Ballkanin në Klasvik tek penalltitë trajneri ishte në dyshim në mes meje dhe Jashanicës se kush ta ekzekutonte dhe ishe me dy mendje. Profesori na shikoi dyve në sy, më pyeti mua a mund të gjuash penalltinë e fundit – unë i thash “PO”, dhe pastaj edhe Jashanica pranoi që të gjuajë unë, poashtu edhe Gripshi i tha profesorit që ta gjujë penalltinë e fundit, kështu që në fund nuk e zhgënjeva asnjërin”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


