Natyrisht se viti 2022 ishte i tëri për Ballkanin e Suharekës, për shkak të sukseseve të mëdha që kishin në futbollin vendor dhe atë ndërkombëtar. Përveç Ballkanit si klub, një lojtar që shkëlqeu ishte edhe Albion Rrahmani – i cili ishte golashënuesi kryesor i klubit dhe një nga lojtarët që bënë bujë në Conference League.
Rrahmani ka theksuar se momenti më i mirë i vitit për të ishte pa asnjë dyshim kur ai shënoi hat-trick në Prishtinë në kualifikimet për Conference League ndaj La Fioritas, shkruan GazetaBlic Sport.
“Momenti më i mirë i këtij viti ishte kur shënova hetrikun në stadiumin legjendar ‘Fadil Vokrri’ – ku edhe u futa në histori”, tha Albion Rrahmani për “GazetaBlic Sport”.
Pas paraqitjeve të mëdha në Evropë, Rrahmani tha se nuk kanë munguar ofertat në drejtim të tij.
“Patjetër që është ndjenjë shumë e mirë kur të shkruajnë shumë njerëz të urojnë për sukseset që je duke i arritur është shtysë e madhe për ne që të vazhdojmë tutje, po ashtu edhe ofertat nuk kanë munguar – por ende nuk ka asgjë konkrete”, vazhdoi ai.
Në fund, Rrahmani tha se dëshiron të luajë në një klub të madh dhe tek kombëtarja e Kosovës.
“Natyrisht që synimi im është që të luajë për ndonjë klub të madh evropian e kam pas ëndërr që nga fëmijëria dhe shpresojë që një ditë të më realizohet, dhe patjetër që pres ftesë nga Kombëtarja, sepse është nder dhe krenari ta veshësh atë fanellë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


