Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar edhe në lexim të dytë Ligjin e Pagave.
Ligji është miratuar me shumicë votash.
Nga 64 deputetë sa morën pjesë në votim, vetëm një ishte abstenim nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kurse, opozita nuk e ka përkrahur.
Ata kishin vërejtjet e tyre se miratimi i këtij ligji ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë pasi që asnjëra nga to nuk e din vlerën e koeficientit të pagës së tyre.
Madje, kanë thënë se ky është edhe një mashtrim i radhës nga Qeveria Kurti.
Lidhur me miratimin e këtij ligji dhe vërejtjet e opozitës për Front Online, ka folur ish-ministri i Financave Haki Shatri.
Sipas tij, vërejtja kryesore është se nuk po tregohet vlera e koeficientit.
Por, deklaron se më mirë të bëhet një ligj me të meta, sesa me mbet pa ligj fare.
“Vërejtja kryesore është se nuk është caktuar vlera e koeficientit edhe tash për tash nuk e dinë askush se si do ta kenë pagën, pra nuk e din asnjëra kategori, nuk dihet as vlera e koeficientit. Sigurisht, ka vërejtje, kategoritë e ndryshme s’janë të kënaqura, por është e pamundur të bëhet një dokument që të gjithë do të ndahen të kënaqur. Por, me gjithë vërejtjet që janë më mirë është me u bë ligji me të meta se sa pa ligj”, ka thënë Shatri.
I pyetur se a mund të përsëritet skenari i njëjtë sikurse në fillim të vitit 2020 kur Kushtetuesja e pezulloi këtë ligj, Shatri tha se mund të ndonjë një gjë e tillë, por se kjo do t’i konvenonte pushtetit.
“Ka mundësi atëherë janë ankuar te omduspersoni dhe në Kushtetuese edhe Kushtetuesja e ka kthy me vërejtje dhe pastaj shkuan edhe tri vjet që s’kemi mujt me ardhë te një version i ri, nëse prapë shkon në Kushtetuese, i merr prapë edhe tri vjet dhe partisë në pushtet i konvenon me shku ky ligj në Kushtetuese sepse edhe ashtu e kanë zhagitë boll dhe kjo me shkua në Kushtetuese ju konvenon sepse thonë qe ne e nxjerrëm ligjin por ju tash po ankoheni edhe sherri juaj tash po zhagitet kjo”, ka shtuar Shatri.
Kurse, sa i përket vlerës së koeficientit, ish-ministri Shatri ka deklaruar se nëse është më i vogël se 120 euro atëherë të gjithë ata që kana paga të vogla nuk do të kenë rritje.
“Nëse është më e vogël se 120 euro atëherë i bjen që duhet me iu zvogëlua të gjithë shërbyesve civil. Kërkesa ka qenë dikund 130 që do të ishte normale që pagat me qenë ekuivalent me çmimet që janë rrit edhe mos mu dëmtua shërbyesit civil me paga. I bjen që të gjithë ata që i kanë pagat e vogla mos me ju rrit hiq pagat”, është shprehur ai.
Ligji i Pagave zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Për të hyrë në fuqi Ligji për pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.


