Lorik Boshnjaku një ndër mesfushorët më të mirë në Kosovë vitet e fundit u largua nga Superliga e Kosovës këtë vit për t’u transferuar tek skuadra e Vllaznisë së Shkodrës në Kategorinë Superiore.
Boshnjaku u ribashkua me trajnerin Mirel Josa në Shqipëri, ku po synojnë triumfin edhe në Kategorinë Superiore, shkruan GazetaBlic Sport.
Futbollisti 27 vjeçar i cili kaloi në futbollin shqiptar në merkaton e verës theksoi se ambientimi ishte shumë i lehtë tek Vllaznia në Shkodër.
“Jam ambientuar shumë mirë dhe shumë shpejtë, sepse jam pritur mirë nga të gjithë dhe e ndjej vetën si në shtëpi”, tha fillimisht Lorik Boshnjaku për “GazetaBlic Sport”.
Në lidhje me dallimin e futbollit në dy ligat, Boshnjaku thotë se në Shqipëri infrastuktura dhe profesionalizmi është shumë më i madh se në Kosovë.
“Te Vllaznia jemi te qetë dhe të fokusuar – edhe pse kemi ngel mbrapa me pikë shpresojë qe do t’i rikuperojmë, sepse kemi mundësi të bëjmë më shumë. Dallimi me Superligën e Kosovës, në bazë të kualitetetit jemi pothuajse të njëjtë veçse në Shqipëri infrastruktura dhe profesionalizmi është shumë më i madh se në Kosovë”, pretendon Boshnjaku.
Sa i përket ndeshjes më të mirë në këtë vit, Boshnjaku ka thënë se ishte ajo në debutimin tek Vllaznia.
“Ndeshja më e mirë në këtë vit ishte ndoshta ajo debutuesja – por qe kam pasur paraqitje të mira deri te momenti i lëndimit – por në përgjithësi mundem të bëjë me shum dhe do e arrijë këtë.
Që nga kalimi i tij tek Vllaznia, tifozët shkodranë kanë dhënë përkrahje të madhe për futbollistin nga Kosova dhe në lidhje me këtë Boshnjaku ka disa fjalë.
“Tifozet janë të shumtë në numër dhe gjithmonë në përkrahje të skuadres gjithashtu edhe ndaj meje për të cilën dua t’i falenderojë , shpresojë t’i gëzojmë në fund”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


