Lajme

“Vuçiq po lobon kundër”, Kurti: Kosova do të jetë anëtare e BE-së, Serbia nuk do të mund të na pengojë asnjëherë

12/20/2022 20:29
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e kaluar dorëzoi kërkesën zyrtare të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa sot ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian dhe Serbia nuk do të mund ta pengojë këtë, asnjëherë.

Kurti ka shtuar se Serbia mbetet e vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Kosovës për anëtarësim në BE, duke i dërguar letra shteteve anëtarë që t’i nxisin për ta kundërshtuar këtë aplikim. Kryeministri ka shtuar se ata kështu po e shkelin marrëveshjen e vitit 2013.

Postimi i tij i plotë:

Javën që shkoi, dorëzova kërkesën zyrtare të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën.

Procesi që filloi me dorëzimin e aplikimit zyrtar më 15 dhjetor në Pragë, në kuadër të Presidencës Çeke, do të vazhdojë me punën tonë dhe bashkëpunimin me partnerët e miqtë tanë. Një falënderim i veçantë për të gjithë zyrtarët shtetëror që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake mbi të cilat e dëshmuam progresin tonë politik, ekonomik e juridik. I falënderoj të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtar që reaguan në mbështetje të aplikimit tonë, dhe që po vazhdojnë të na mbështesin në këtë rrugëtim.

Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë.

Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian; Serbia nuk do të mund të na pengojë. Asnjëherë.