Lajme

Miftaraj: Të drejtat dhe liritë e njeriut nuk kanë çmim, asnjë qeveri nuk mund të arsyetohet që s’ka buxhet

12/15/2022 13:04
nga:G B

Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në tryezën e organizuar nga IKD, ku është prezantuar raporti me titull: “Përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje”, ka thënë se të drejtat dhe liritë e njeriut nuk kanë çmim dhe sipas tij, në asnjë shtet nuk mundet një qeveri, një kuvend me gjet arsyetim që s’kemi buxhet.

Miftaraj po ashtu tha se, të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe duhet me u u respektuar patjetër.

Ai tha se, nuk mjafton me pas këshilltar të komuniteteve vetëm në Ministrinë e Drejtësisë, por sipas tij, këshilltar nga komunitetet duhet me pas edhe Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, raporton “Betimi për Drejtës”.

“Me të vërtetë ndihemi keq kur shkojmë nëpër komunitet dhe kanë probleme shumë, shumë bazike”, ka thënë Miftaraj.

“Kemi rastin me fakultet juridik që më konkuru 3-4 vite me ren edhe mos me mujt me u punësu, besoj që ky është diskriminim, shkelje e të drejtave të njeriut”, tha tutje Miftaraj.

Paraprakisht, Miftaraj ka thënë se në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të IKD-së, e cila është themeluar në vitin 2019, ekipet mobile të juristëve kanë shkuar dhe kanë vizituar në të gjitha lokalitetet ku jetojnë këto komunitete për të identifikuar problemet, sfidat dhe çështjet me të cilat ballafaqohen kjo pjesë e popullit të Kosovës.

“Ne ju kemi ndihmuar ndoshta me dhjetëra qindra qytetarëve të komunitetit rom, egjiptian, ashkali në regjistrimin civil, për arsye se shumë prej tyre thjeshtë nuk kanë pasur qasje apo nuk e kanë ditur këtë të drejtë”, ka thënë Miftaraj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përkrahur nga Këshilli Danez për Refugjatë, Misioni në Kosovë (DRC), financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të përfaqësuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë (Sida), ka organizuar tryezë të rrumbullakët, ku po të prezantohet raporti me titull “Përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje”. Ky raport identifikon ngecjet në raport me zbatimin e Rregullores për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik.