Kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu tha sot se dënimi me burg i dhënë nga gjykata turke është politik dhe i paligjshëm.
Një gjykatë turke dënoi sot Imamoglun me më shumë se dy vjet burg dhe e ndaloi të mbante poste politike për fyerje të anëtarëve të komisionit shtetëror zgjedhor.
Imamoglu shihej si një kundërshtar i fortë i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, kujton Reuters.
Ai ka të drejtë të apelojë vendimin. Imamoglu, i cili është anëtar i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP), u gjykua për një fjalim të vitit 2019 pas anulimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale në Stamboll, në të cilat ai tha se anulimi i zgjedhjeve të ligjshme ishte “marrëzi”.


