Lajme

Tahiri: Situata shqetësuese në veri, Kurti ta respektojë kërkesën e Hovenierit për shtyrjen e zgjedhjeve – mos të turpërohet sikur për targat

12/08/2022 17:25
nga:G B

Shpërthime në veri ka pasur të martën, derisa edhe dy sulme me shok-bomba kanë qenë mbrëmjen e të mërkurën në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Duke e parë këtë situatë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi që zgjedhjet në 4 komunat veriore të shtyhen.

Por, Qeveria tha se nuk do të ketë shtyrje, derisa mundësinë për shtyrje të zgjedhjeve e la të hapur presidentja Osmani.

Lidhur me këtë çështje, ish kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se situata në veri është shqetësuese dhe se i gjithë qëllimi i Serbisë është ndarja e veriut, ku këtë gjë duhet ta mbrojë Qeveria në koordinim me SHBA-të.

“Situata në veri është shqetësuese, Qeveria jonë duhet ta njohë mirë armikun dhe qëllimet e Serbisë janë ndarja e veriut, gjithë ky destabilizim që bën Serbia janë për të arritur synimet territoriale që ka ndaj veriut si tokë e pasur në minerale më e pasura në Evropë, për këtë arsye qeveria duhet ta mbrojë veriun në koordinim me SHBA-në, vetëm kështu dalim të fituar”, thotë ajo.

Sipas Tahirit, në këtë gjendje nuk ka kushte për të mbajtur zgjedhje në veri dhe Kurti duhet ta respektojë kërkesën e ambasadorit amerikan dhe të mos veprojë sikur për targat.

Madje, ajo e quan turpëruese deklaratën e Kurtit se ambasadori amerikan ka ditur më shumë për gjendjen në veri, se sa ai.

“Në një gjendje të këtillë nuk ka kushte për t’u mbajtur zgjedhjet lokale atje, Kurti të respektojë kërkesën e ambasadorit amerikan dhe mos të vie puna që herën e kaluar në rastin e targave refuzoi kërkesën amerikane, pastaj bëri kompromis me një arsyetim naiv që fare nuk i shkon një kryeministri të një shteti, kur tha se ambasadori amerikan dinte më mirë për gjendjen në veri, që ishte deklaratë turpëruese për vet Kryeministrin por edhe shtetin”, vlerëson Tahiri për Gazeta Blic.

Ish kryenegociatorja shton se derisa Kurti pranoi se ambasadori ka ditur më mirë, edhe në këtë rast duhet ta respektojë kërkesën e tij.

“Ndërsa vet pranoi se ambasadori ka ditur më mirë, atëherë edhe me këtë rast vlen e njëjta, andaj duhet ta respektojë dhe mos të bëjë tërheqje e kompromise me kokë të ulur. Kur e ulë kokën kryeministria, e ulë edhe kokën e shtetin, Historia çlirimtare e Kosovës nuk duron ulje të kokës”, deklaron Edita Tahiri./Gazeta Blic/