Lajme

Ish-kryetari i KQZ-së: Zgjedhjet në Veri duhet të mbahen, situata nuk është alarmante si po paraqitet!

12/07/2022 11:51
nga:Y I

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka thënë se zgjedhjet në Veri duhet të mbahen.

Baraliu tha se janë organet e rendit ato që e kanë për detyrë të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve atje.

“Unë mendoj se zgjedhjet duhet të mbahet. Organet e rendit janë për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve dhe është në Kushtetutë e caktuar se kush i shpall zgjedhjet dhe i zbaton dhe menaxhon ato. Eshtë presidentja e vendit që i shpall dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që duhet t’i realizojë zgjedhjet edhe ti menaxhojë. Në qoftë se ka pengesa nga grupet e caktuara kriminale, pikërisht institucionet e vendit janë që t’i sigurojnë zgjedhjet atje. Ne kemi një Polici tonen, kemi edhe KFOR-in, Eulex-in, pra dhe forcat e tyre”, tha ai.

Tutje, Baraliu theksoi se shteti nuk do të duhej t’i nënshtrohej një grup njerëzish kriminalë në Veri të vendit.

“Eshtë një grup njerëzish kriminelë atje dhe nuk do të duhej t’i nënshtrohemi shantazheve të tyre. Gjithsesi duhet të organizohen zgjedhjet në çfarëdo mënyre që mundet ky vend. Ka edhe  mundësi të tjera nëse nuk krijohen kushtet për shkaqe të sigurisë, ka mundësi që të organizohen edhe në mënyrë mobile vendvotimet. Gjithesi qytetarët iu duhet mundësuar sepse nuk mund të tallesh me qytetarët si shtet, i ke shpall zgjedhjet duhet të sigurohet mbarvajtja e tyre”, deklaroi Baraliu për “Gazeta Blic”.

Baraliu ka treguar edhe rastet kur mund të anulohen zgjedhjet.

“Nëse eventulisht siç është rasti atje ndonjë kandidat në mënyrë taktike ka heqë dorë, i dirigjuar nga elemente destruktive të një subjekti politik atje atje por edhe nga Beogradi atëherë aty duhet të zhvillohen sërish sepse nuk dalin njerëzit dhe nuk realizohet procesi në përputhje me dispozitat e ligjit për zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme. Në ato vende ku nuk ka substancë, nuk ka kandidat atëherë në atë komunë mundet edhe duhet Presidentja t’i shpallë zgjedhjet e tjera. Përndryshe zgjedhjet duhet të mbahen. Shteti për kete punë është që të sigurojë kushte dhe duhen siguruar. Nuk është atje situata aq alarmante si e bajnë sepse është e qartë që Beogradi u ka thënë të Listës Serbe bojkotoni zgjedhjet, tani po bën shantazhe dhe nuk po lejon që të punojnë institucionet e vendit dhe kjo është me të vertete e papranueshme. Shtrohet pyetja se çfarë bëjnë institucionet tona atje, policia jonë policia e EULX-it, KFOR-it, ata janë atje per siguri. Cfarë bëjnë ata atje, eshte dasht zyret e KQZ-se atje t’i sigurojnë dje, prandaj shteti duhet të bëjë detyrën e vet dhe zgjedhjet duhet të mbahen” deklaroi ish-kryetari i KQZ-së për “Gazeta Blic”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me situatën në Veri ku ka deklaruar se nuk ka kushte të mbahen zgjedhjet atje.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje” deklaroi ambasadori amerikan raporton Gazeta Blic.

Ditën e djeshme ka patur disa shpërthime në Veri ku një zyrë e KQZ-së ka dalë jashtë funksionit.

/Gazeta Blic/

Hovenier: Nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen në veri për momentin