Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Projektligji për pagat është kundërkushtetues dhe kundërligjor me të cilat ua ulë pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Një gjë të tillë Shala e ka thënë të martën, në tryezën e rrumbullakët, ku u diskutua lidhur me temën “Reforma në Administratë Publike”.
“Kjo çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë shqetësim që nga koha kur është bërë publik Projektligji për Pagat. Por fatkeqësisht do të thotë në aspekt negativ kjo çështje u riaktualizu edhe ditëve të fundit për shkak të një vendimi kundërkushtetues dhe kundërligjor të Qeverisë me të cilat ua ulë pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deklaroi Shala.
Ai ka thënë se në raport me projektligjin për pagat ende nuk dihet se sa janë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shtuar se nëse shohim Projektligjin dhe disa prej deklarimeve publike vërehet një lloj tendence që gjyqtarët dhe prokurorët nuk do ta kenë pagën siç e kanë aktualisht duke e abstrahu vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës
“Që i bjen se është një tendencë e hapur që pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve me u ulë sipas projektligjit për pagat. Ky vendim i Qevërisë si vendim kundërkushtetues dhe kundërligjor nuk krijon gjendje të re juridike në asnjë rrethanë”, ka thënë Shala.
Në këtë tryezë është diskutuar lidhur me temën “Reforma në Administratë Publike”.
Kjo tryezë e diskutimit organizohet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022”, ku tema të diskutimit janë : Administrata Publike sipas raportit të vendit për vitin 2022, Pakoja e re ligjore – progres apo regres karshi procesit në integrimin evropian, Problemet në ristrukturim dhe numri i madh i pozitave me Ushtrues Detyre, Racionalizimi i administratës publike me theks reformën e agjencive, Zvogëlimi i barrës administrative si mundësi e mirë për luftën kundër korrupsionit.
Koalicioni i organizatave joqeveritare në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022” janë: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.
Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi
Zgjedhjet në Veri, KQZ merr edhe një vendim


