Lajme

Krasniqi takohet me ambasadorin francez, ia tregon pesë pikat që duhet t’i ketë marrëveshja finale me Serbinë

12/05/2022 16:00
nga:G B

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka diskutuar për situatën politike në vend, zhvillimet në veri dhe zgjedhjet që do të mbahen këtë muaj atje, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënës se falënderuar Francën për mbështetjen për vizat, derisa ka përsëritur pesë pikat e PDK-së për marrëveshjen finale me Serbinë.

Postimi i tij i plotë:

Në takimin e zhvilluar sot me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, diskutuam për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji.

Ambasadorit Guérot i shpreha mirënjohjen time për Francën për mbështetjen e ofruar në procedurën lidhur me vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë takim, ripërsërita pesë pikat e propozuara nga unë dhe Partia Demokratike e Kosovës për marrëveshjen finale në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje.

Po ashtu, gjatë këtij takimi pranova urimet e ambasadorit francez për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), i cili e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm në procesin reformues të nisur nga partia jonë.