Në Mitrovicën e Veriut po zhvillohet një tubim protestues, ku u mblodhën më shumë se tremijë gra, nën moton “Nënat e Kosovës kundër getos së Kurtit”, shkruan kosovo-online.
Përkundër reshjeve të shiut, një numër i madh i grave u mblodhën në Mitrovicën e Veriut ku në orën 15 filloi një shëtitje protestë e grave, për ë kundërshtuar siç thanë “sjelljen çnjerëzore të Prishtinës dhe Albin Kurtit ndaj serbëve”.
Protesta e quajtur “Nënat e Kosovës kundër getos së Kurtit” vjen si kundërpërgjigje e grave nga veriu i Kosovës ndaj asaj që ato e cilësojnë si “shtypje dhe mizori që pësojnë çdo ditë nga pushteti në Prishtinë”.
Gratë e mbledhura mbajnë pankarta të shumta me mbishkrimin “Kurti, nuk të jap fëmijë” dhe “Nuk është modë, dua paqe”, “Nuk dua shtet tjetër, dua Serbinë time!”.
Protestën e të gjitha grave e ka paralajmëruar dje në një konferencë për media Gordana Saviq, shefe e shërbimit për promovimin e shëndetit dhe kërkimin shkencor në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicën Veriore, e cila tha se “gratë nuk do ta lejojnë Kurtin t’ua marrë paratë që janë aq të nevojshme që fëmijët e tyre të arsimohen dhe të rritën në kushte normale”.


