Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se sot ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – në Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet F.U, A.R., F.M., E.M, A.M, E.D. dhe M.V, lidhur me rastin “Mulliri”.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.
“Prokuroria Speciale konsideron se ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara dhe se gjatë hetimeve janë siguruar dhe sekuestruar prova relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit i kanë kryer veprat penale me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm, duke bërë kultivimin e bimës narkotike me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ku të pandehurit janë arrestuar në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Operacioni “Mulliri” ishte zhvilluar në shkurt të këtij viti në Shirokë të Suharekës, ku sipas njoftimeve të organeve të rendit aty ishin kapur 32 kg substancë narkotike të llojit marihuanë e mbi dy mijë bimë kanabis të mbjella në saksi të gatshme për shitje.
Laboratori i bimëve narkotike ishte zbuluar në kulmin e një ndërtesë shtatë-katëshe.


