Zv/kryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk ka pasur marrëveshje dje në Bruksel për targat, derisa u takua me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Teksa foli para mediave, ai tha se nuk ka pasur propozim për targat por elemente se si të dilet nga kjo situatë, për çka nuk dha më shumë detaje, pasi janë në diskutime dhe nuk dihet se çka do të ndodhë.
Lidhur me këtë dhe mundësinë që të arrihet pajtueshmëri para datës 21 nëntor, kur dhe nis faza e dënimeve për targat ilegale, për Gazeta Blic ka folur ish kryenegociatorja e dialogut Edita Tahiri.
Ajo thotë se qeveria nuk është dashur ta sjell punën deri këtu që të krijohen probleme në veri, por që ta shtynte vendimin kur kërkoi SHBA.
“Mendoj se Qeveria është dashur të koordinohet me Qeverinë amerikane dhe me kohë të bënte shtyerjen e afatit të zbatimit të targave dhe mos ta binte punën që të krijohen probleme në veri”, thekson Tahiri.
Sipas saj, është dështim i pafalshëm i Kurtit që ta pyes Serbinë tani për targa e mos ta dëgjojë Amerikën kur e kërkonte.
“Ky është gabimi i dytë tani që qeveria vendimin e vet shkoi ta negociojë me palën serbe. Pra, në vend se t’u bindet amerikanëve, qeveria tani po e pyet Serbinë për vendimin për targa, pra është dështim i pafalshëm, që tregon qartë mosdijen e qeverisë dhe Kurtit për negociata ndërkombëtare, duke bërë sjellje inferiore përballë një Serbie gjenocidale”, vlerëson ish kryenegociatorja.
Tahiri shton se qeveria duhet t’i kthehet koordinimit me amerikanët, që t’i shmangë gabimet edhe më të rënda.
“Mendoj se qeveria duhet t’i kthehet koordinimit me amerikanët, për të mos bërë gabime edhe më të rënda sepse vetëm së bashku me SHBA-të mund të tejkalohen tensionet në veri”, ka deklaruar Edita Tahiri./Gazeta Blic/


