Lajme

Zëdhënësja e LDK-së reagon ndaj Gërvallës për raketat në Poloni: I pafalshëm ky gabim i rëndë, po i hedh benzinë zjarrit

11/16/2022 10:44
nga:G B

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka quajtur të pafalshme dhe diplomatike reagimin e ministres Donika Gërvalla për raketën në Poloni, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se ajo po i hedh benzinë zjarrit, në kohën kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime.

Këtë deklarim pa takt, Halimi e ka quajtur gabim tejet të rëndë.

Ajo ka shtuar se me një kabinet aq të madh me shumë këshilltarë, duhet të ketë konsultime para se të bëhen gabime të tilla dhe se politika e diplomacia bëhen me urtësi e maturi.

Postimi i saj i plotë:

Është e pafalshme që e para e diplomacisë tonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj. Në një kohë kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime – ministrja jonë e jashtme i hedh benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë në njohjen e Kosovës, gabimet përmbajtësore e deklarimet pa takt sikur ky i fundit, janë edhe më të rënda. Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme. Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me urtësi e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare.