Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e quajti tërheqjen ruse nga Kherson “fillimi i fundit të luftës” të hënën teksa takoi ushtarët në Kherson.
Zelensky tha se vendi i tij është “gati për paqe”, derisa e vizitoi qytetin jugor disa ditë pasi forcat ruse u detyruan të tërhiqen.
“Ne po ecim përpara”, u tha ai trupave që qëndronin në formacion përpara ndërtesës së administratës në sheshin kryesor të qytetit. “Ne jemi gati për paqe, për të gjithë vendin tonë”.
Ai shtoi se “ushtria e fortë” e vendit po rimerrte me këmbëngulje territoret e marra nga Rusia që nga pushtimi i saj, raporton Independent.
Ushtria ukrainase ka rimarrë tri zona kryesore të vendit në kundërofensivat e saj – zonën në veri të Kievit, rajonin verilindor të Kharkiv dhe tani Kherson dhe shumë vendbanime fqinje.


