Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë pritjet për liberalizim të vizave të paktën edhe për 1 vit.
Kjo pasi në Bruksel nuk pati konsensus që Kosovës t’i hiqen vizat tani.
Ky proces, pavarësisht se kushtet janë përmbushur, është lidhur me sistemin ETIAS, i cili ende nuk është funksional nga ana e BE-së.
E, Kosova duhet të pres që ky sistem të funksionalizohet, në nëntor të vitit të ardhshëm.
Lidhur me këtë, analisti politik, Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se ka qenë skeptik për një vendim pozitiv, pasi këtë proces e kanë lidhur me dialogun.

“E kam thënë edhe më herët, isha skeptik për vendim pozitiv tani sepse konsideroj që kjo çështje tashmë edhe lidhur politikisht me progresin ose jo në dialogun për normalizim”, thotë ai.
Sipas Racit, Kosova i ka plotësuar kushtet por që është keq që vazhdojmë të jemi populli i vetëm i izoluar në Ballkan nga BE.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike e profesionale dhe është keq që ende vazhdojmë të jemi populli i vetëm i izoluar në Ballkan nga disa shtete anëtare të BE”, deklaron Gamir Raci./Gazeta Blic/


