Sporti

Topi i Valverdes përfundoi në ballkonin e tij, Hamza Al Mula: Ishte një dhuratë e bukur nga Real Madridi, nuk do ta shesë kurrë

11/10/2022 18:59
nga:Lorik J

Hamza Al Mula është një ndër personat më me fat në ditët e fundit. Si emër normalisht që nuk është i njohur, por kur përmendet goditja e Valverdes në minutat e fundit ndaj Rayo Vallecanos – të gjithëve na kujtohet vetëm një gjë: Që topi i goditur nga futbollisti i Real Madridit, përfundoi në një ballkon të një banese pranë stadiumit ‘Estadio de Vallecas’.

Dëshira e Valverdes ishte të realizonte gol dhe të barazonte rezultatin, megjithatë goditja nuk përfundoi në portë, madje doli jashtë stadiumit dhe shkoi… në duart e Hamza Al Mula, një personi i cili jeton në Irak, por rastësisht qëlloi në banesën pranë stadiumit, shkruan GazetaBlic Sport.

Edhe më i çuditshëm është fakti se Hamza Al Mula nuk është fans i futbollit, madje ai thotë se ishte ndeshja e parë që ai e ka shikuar ‘Live’ – edhe atë pa shkuar në stadium, por nga banesa e prindërve të tij.

Al Mula, i cili natyrisht se do ta mbajë mend gjithë jetën këtë moment për shkak se është bërë viral në botë, ka potencuar se video ishte e rastësishme, pasi ai filloi të filmonte duke menduar se Real Madridi do të shënonte, e jo që topi do të përfundonte në duart e tij.

“Menduam se Valverde do të shënonte gol ndaj Real Madridit, kështu që e filmuam këtë moment. Një ndjenjë e çuditshme dhe e bukur në të njëjtën kohë, sepse nuk kam shikuar kurrë një lojë futbolli direkt më parë”, tha fillimisht Hamza Al Mula për ‘GazetaBlic Sport’.

U raportua në mediat ndërkombëtare se ky top do të shitet, mirëpo tashmë pronari i topit e mohon një gjë të tillë, teksa e cilëson si një dhuratë të bukur nga klubi madrilen.

“Topi është vetëm një kujtim i bukur nga Real Madridi dhe nuk është në shitje”, vazhdoi ai.

Video e publikuar nga ai duke shkuar topi në banesën e tij ka marrë miliona shikime në rrjetet sociale. Al Mula thotë se ishte një ndjenjë e bukur që të lexonte mijëra komente pozitive për videon e tij.

“Është një ndjenjë e bukur sepse nuk e besova që kjo video do të merrte kaq shumë shikime dhe komente të këndshme. Videoja ishte e rastësishme”, zbuloi ai.

Në fund, ai tregoi pak edhe për jetën e tij – ku tha se jeton në shtetin e Irakut.

“Unë jetoj në Irak, por familja ime ka 7 vjet që jeton në Madrid dhe unë ndonjëherë shkoj në pushime në Madrid dhe prezenca ime përkoi me zhvillimin e lojës.
Topi është tani tek vëllai im në Madrid. Tani unë u ktheva në Irak për të punuar. Shpresoj që vëllai ta mbajë topin për gjithë jetën”, përfundoi ai.

Më poshtë keni disa fotografi që Hamza Al Mula na ka dërguar nga dita e ndeshjes dhe momenti epik:

/GazetaBlic Sport