“Për këtë temë e keni përgjigjen që 9 vite”. Kështu ka deklaruar kryeministri Kurti të hënën, kur u pyet nga gazetarët për formimin e Asociacionit, të cilin po e kërkon Amerika.
Ai ka thënë se kjo është temë e vjetër dhe nuk ka përgjigje të re për të, derisa atë e ka dhënë qysh para 9 vitesh e nuk ka ndryshuar qëndrim.
Por, a duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic kanë folur njohësit e çështjeve juridike.
Avokati Yll Zekaj thotë se të gjitha qeveritë kanë dështuar që të paraqesin një draft të Asociacionit, që do të ishte i pranueshëm për Kosovën dhe do të adresonte gjetjet e Gjykatës Kushtetuese.
“Qeveritë e kaluara dhe kjo tani kanë dështuar që të paraqesin një draft të Asociacionit të pranueshëm për palën kosovare e cila do të adresonte gjetjet e Gjykatës Kushtetuese”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai shton se derisa Kushtetuesja kishte gjetur shkelje në vitin 2015, qeveritë e kaluara është dashur që ta kishin draftin e marrëveshjes.
“Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 kishte gjetur se marrëveshja për Asociacionin binte ndesh me Kushtetutën në 23 nene. Kështu që qeveritë e kaluara duhet ta kishin draftin e tyre të marrëveshjes duke adresuar eliminuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese duke përfshirë kompetencat e Asociacionit që kishin karakter ekzekutiv”, deklaron Yll Zekaj.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se Kosova e ka të vështirë t’i ikë obligimit ndërkombëtar që e ka dhënë për Asociacionin dhe se mbetet te Qeveria se si ta menaxhojë këtë proces.

“Kosova ka marrë përsipër një zotim ndërkombëtar për të formuar Asociacionin, andaj në aspektin e obligimit ndërkombëtar është jashtëzakonisht e vështirë t’i ikë këtij obligimi. ShBA dhe BE në vazhdimësi i përkujtojnë Kosovës këtë obligim, andaj mbetet tek qeveria e Kosovës se si mundet ta menaxhojë këtë proces”, potencon Miftaraj për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, thotë për Gazeta Blic se Kosova e ka detyrim formimin e Asociacionit dhe atë duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Republika e Kosovës, me ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ka detyrim si kushtetues ashtu edhe ndërkombëtar për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo për faktin se siç ka deklaruar edhe ambasadori amerikan, kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe përbën detyrim ligjor për institucionet tona që të zbatohet. Madje, edhe Gjykata kushtetuese e Kosovës me aktgjykimin e saj të vitit 2015 ka përcaktuar që Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar dhe kushtetues që të themelojë asociacionin në fjalë, por që, sipas gjykatës Asociacioni duhet të themelohet krejtësisht dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, çështja tashmë nuk është diskutabile se a do të themelohet asociacioni por si dhe me çfarë kompetenca do të krijohet.
“E vetmja mënyrë që Kosova të tërhiqet nga zbatimi i marrëveshjes për themelimin e asociacionit është që Kuvendi i Kosovës me 2/3 ta e votave të vendos që të tërhiqet nga zbatimi i asaj marrëveshje dhe kështu rrjedhimisht nuk do të kishte obligim që qeveria ta krijojë këtë asociacion. Por kjo vështirë se do të realizohet, sepse së pari, nuk besoj që do të ketë përkrahje me votë parlamentare një veprim i tillë në Kuvend dhe e dyta, ky veprim do të ishte i rrezikshëm sepse e paraqet Kosovën si shtet tejet jo serioz që nuk është në gjendje t’i respektojë parimet dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare, fakt ky që do të na pengonte në proceset e ardhshme integruese”, thekson hulumtuesi i lartë i KDI-së për Gazeta Blic.
Bugaqku potencon se Asociacioni duhet të formohet dhe mund të ketë vetëm vonesa por që duhet pasur kujdes që të mos jetë ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në anën tjetër unë nuk shoh rrugë tjetër nga bishtnimi i themelimit të këtij asociacioni. Mund të ketë vonesa, mund të ketë ndërrim të pushtetit në Kosovë por praktikisht moszbatimi i këtij detyrimi nga ana e Kosovës duket e pamundshme nën këto kushte. Si përfundim, theksoj që ky asociacion do të themelohet por vetëm se duhet pasur kujdes që mos të bie ndesh me kushtetutën e vendit dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Vullnet Bugaqku./Gazeta Blic/


